Prishtinë, 3 mars 2026 – Instituti GAP publikoi të martën raportin e eksportit dhe importit të shërbimeve gjatë vitit 2025.
Sipas raportit, vitin e kaluar, Kosova ka pasur bilans pozitiv në shkëmimin e shërbimeve me rreth 2.2 miliardë euro.
Kosova ka eksportuar shërbime me vlerë prej rreth 3.9 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 15 për qind, krahasuar me vitin 2024, ndërsa ka importuar shërbime me vlerë prej rreth i 1.7 miliardë euros hose 6 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Pra, sipas GAP, për çdo 1 euro të eksportuar në shërbime, Kosova i ka importuar vetëm 44 centë, po në shërbime.
“Ky raport mes importit dhe eksportit është ndër më të mirët në rajon dhe më gjërë”, kontaton GAP.
Sipas tabelës së shkëmbimeve të shërbimeve gjatë dhjetë vjetëve të fundit, të bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të Eurostat, Kosova renditet ndër të parat përnga vlera e ndryshimit ndërmjet eksportit dhe importit. Megjithatë, ajo renditet prapa Serbisë dhe Kroacisë.

GAP thotë se shtetet e zhvilluara i kanë pothuajse të balancuara eksportet dhe importet në shërbime, ashtu sikurse edhe eksportet e importet e mallrave. Sipas raportit, vendet e zhvilluara fokusohen në prodhimin e produkteve dhe në ofrimin e shërbimeve në sektorë më të zhvilluar, ndërsa importojnë produkte e shërbime nga shtetet që kanë përparësi krahasuese në sektorët e caktuar.
GAP konstaton se eksporti i shërbimeve nga Kosova është më i lartë në shtetet e rajonit, ndërsa rritja e eksportit të shërbimeve në vendet e zhvilluara dhe në tregjet e mëdha mbetet ende sfidë për ofruesit e shërbimeve nga Kosova.
Në raportin e GAP nuk bëhet specifikimi i shërbimeve që eksportohen nga Kosova dhe as i shërbimeve që importohen në Kosovë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në eksportin e shërbimeve nga Kosova domunojnë shërbimet në fushë të teknologjisë informative. Në Kosovë ka shumë kompani të teknologjisë informative që kryejnë shërbime për kompani jashtë vendit. Po ashtu ka filiala të kompanive të huaja të teknologjisë informative që ofrojnë shërbime për klientë në vende të zhvilluara të botës.
Tregu i shërbimeve në sektorin e Teknologjisë Informative është ndoshta sektori më i zhvilluar në Kosovë.
(r.m.)