Kosova i jep lamtumirën e fundit ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci

Prishtinë, 2 janar 2026 – Kosova ia dha sot lamtumirën e fundit ish-kryetarit të Kuvendit, Akademik Nexhat Daci. Ai u varros në varrezat e qytetit në Prishtinë, në praninë e krerëve të shtetit, liderëve të partive politike, udhëheqësve e punonjësve të institucioneve më të larta të arsimit dhe shkencës, si edhe të miqve e bashkëpunëtorëve të tij të shumtë.

Ceremonitë shtetërore filluan me homazhe në holin e Kuvendit. Para arkëmortit të mbuluar me kurora lulesh, u përkulën autoritetet shtetërore e politike të Kosovës, deputetë të pothuaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, miq, kolegë e bashkëpunëtorë të shumtë nga Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si edhe qytetarë të shumtë që e kanë njohur e respektuar.

Shumë prej tyre shpreën në librin e zisë mirënjohje të thella për kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Dacit në fushën e arsimit e të shkencës, si edhe në procesin për ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovë.

Në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në Kuvendin e Kosovës, kontributet e Akademik Dacit i vlerësuan autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës.

 

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj, Osmani tha se Daci do të kujtohet si burrështetas, dijetar e intelektual i përkushtuar.

“Jemi mbledhur për të ia thënë lamtumirën akademik Nexhat Dacit, burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar. Me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur ai i shërbeu Kosovës si kryetar i Kuvendit, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, tha ajo në fillim të fjalës së saj.

Presidentja Osmani tha se Daci ishte bashkëpunëtor i afërt i presidentit historic të Kosovës, Ibrahim Rugova, në kauzën për liri e pavarësi.

“Në periudha më të rënda për popullin tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në këtë kauzë. Në atë epokë ku mençuria ishte aq e nevojshme sa edhe guximi, ai e zgjodhi rrugën e urtësisë, vizionit afatgjatë dhe të përgjegjësisë shtetërore. Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte i qetë, por i thellë. Si kryetar Kuvendi ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë, por ishte edhe kulturë; nuk ishte vetëm rregull, por edhe respekt. Ai besonte në dialog, ligj në argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ. Kjo ishte filozofia e tij shtetformuese,” tha ajo

Osmani e vlerësoi kontributin e Dacit në politike dhe në shkencë.

“Ai la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e mendimit shkencor”, theksoi ajo.

“Nuk po i themi lamtumirë vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë e dijes. U prehtë i qetë në dheun e Kosovës së lirë dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për akademik Nexhat Daci”, tha Osmani në përfundim të fjalës së saj.

 

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e vlerësoi Dacin si vizionar dhe figurë themeltare e sigurisë institucionale e orientimit demokratik të Kosovës.

“Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, që i bashkonte dijen me shtetin, mendimin akademik me përgjegjësinë publike dhe urtësinë personale me interesin e përgjithshëm të republikës sonë. Ai ishte shembulli i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por edhe si mision kombëtar dhe mjet thelbësor të emancipimit tonë shoqëror”, tha Basha.

“Akademik Nexhat Daci e ndërtoi jetën e tij mbi themelet e palëkundura, me dije të thellë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për interesat e popullit që ai i takonte. Për akademikun Daci, dija ishte akademi e shenjtë publike dhe shtylla e vetme që duhej të planifikohej zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë sonë. Si kuadër dhe intelektual i hershëm, gjatë periudhës së represionit ai kontribuoi në ndërtimin dhe zhvillimin e strukturave paralele veçanërisht në fushën e arsimit, falë angazhimit të tij rezistenca paqësore mori kuptim të thellë dhe u shndërrua në një projekt të qëndrueshëm politik dhe moral për Kosovën”, tha Basha.

 

Edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e vlerësoi kontributet e Dacit në fushën e dijes dhe në procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

“Me përmasat e tij si politikan dhe me profilin e tij si shkencëtar-profesor, Nexhat Daci do të jetë një zë me vete në faqet e historisë politike të shtetndërtimit të Kosovës dhe në historinë e arsimit dhe të shkencës në Kosovë,” tha ai.

Kurti e përshkroi Dacin si figurë kyçe në emancipimin e skenës politike dhe si shembull të drejtimit të debatit parlamentar në Kosovë.

“Me maturinë dhe qetësinë e tij, ai dha shembull se si duhet të zhvillohet kuvendi dhe si duhej zhvilluar beteja politike nga foltorja dhe ulëset e këtij Kuvendi”, tha Kurti.

“Ai ka ditur ta luajë rolin e një figure balancuese mes poleve dhe në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë, duke qenë e kundërta e polarizimit në skenën politike. Si shkencëtar i kimisë, doktor Nexhat Daci ka qenë origjinal dhe punëtor në studimet e tij, duke lënë pas një mori punimesh dhe veprash shkencore nga karriera e tij e gjatë si profesor në Universitetin e Prishtinës”, theksoi Kurti.

E bija e Nexhat Dacit, Majlinda, shprehu mirënjohjen e familjes Daci për respektin dhe nderimet që iu bënë të atit.

“Prania juaj këtu është dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij”, tha ajo në fjalën e saj.

Majlinda tha se Daci do të kujtohet se njeri që gjithë jetën ishte në shërbim të dijes, të vendit dhe të njerëzve. Ajo e vuri theksin në rolin unifikues të të atit në skenën politike në Kosovë.

“Në një kohë kur Kosova po dilte nga lufta dhe shoqëria ishte thellësisht e përçarë politikisht, ai mori mbi vete një barrë të rëndë historike: të ndërtonte ura aty ku kishte ndarje, të sillte dialog aty ku kishte mosbesim dhe të kultivonte maturi aty ku mbizotronte tensioni. Ai luajti një rol të pa zëvendësueshëm si unifikues i skenës politike, duke u bërë zë i arsyeve në një moment kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për udhëheqës të urtë dhe gjithëpërfshirës. Ai besonte thellë se politika, kur bëhet me ndershmëri dhe dinjitet, është shërbim ndaj qytetarëve dhe sakrificë për të ardhmen,” theksoi ajo.

(r.m.)