Prishtinë, 28 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Reagimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur sulme në disa qytete të Iranit.
Osmani ka thënë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë një shans përfundimtar lirisë dhe paqes.
“Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump.
Si gjithmonë, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në mbrojtje të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Ne gjithashtu i dënojmë fuqimisht sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve tanë në Lindjen e Mesme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë më në fund një shans lirisë dhe paqes”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.
Osmani e ka shpërndarë edhe videomesazhin e Presidentit Trump pas fillimit të sulmeve ndaj Iranit, të cilat ai i ka cilësuar si të pashmangshme, pasi autoritetet iraniane nuk kanë dashur të arrijnë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor dhe atë të raketave.
“Ka qenë gjithmonë politikë e Shteteve të Bashkuara, sidomos e administratës sime, se ky regjim terrorist nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore. Po e them sërish, ata nuk mund të kenë kurrë armë bërthamore”, ka thënë Trump.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka mbështetur operacionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Iran.
Në një komunikatë për medie, ajo ka thënë se Kosova qëndron në krah të Presidentit Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.
Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.
Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.
Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.
(r.m.)
Kush duhet të zgjidhet President i Kosovës
- Vjosa Osmani (89%)
- Një figurë jopolitike (11%)
- Një politikan tjetër (0%)
- Një figurë nga diaspora (0%)