Kosova i nderon viktimat e masakrës së Reçakut, kërkon që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë

Prishtinë, 15 janar 2026 – Kosova i nderuar të enjten viktimat e masakrës së Reçakut. 27 vjet më parë në këtë fshat forcat serbe i vranë 45 civilë shqiptarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryaparlamentari Dimal Basha, liderët e pothuajse të gjitha partive politike shqiptare dhe qytetarë të shumtë bënë homazhe te memoriali i viktimave në Reçak, për t’i nderuar e kujtuar burrat, gratë, të rinjtë e të rejat, të gjithë civilë, që u vranë dhe msakruan barbarisht nga militarët e paramilitarët serbë.

Mes pjesëmarrësve në homahe ishte edhe ambasadori William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë në kohë e kryerjes së masakrës, i cili e kishte dokumentuar masakrën e kryer në këtë fshat, të cilën e kishte emërtuar si kkrim kundër njerëzimit.

Presidentja Osmani tha se edhe pas 27 vjetësh “plagët e Reçakut ende flasin” për krimet e strukturave ushtarake e paraushtarake serbe në Kosovë.

“Dhimbja është e freskët për familjet dhe për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se urdhërdhënësit dhe kryesit e kësaj masakre dhe të krimeve monstruoze serbe në Kosovë nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Ajo tha se Serbia vazhdon të mohojë edhe sot e kësaj dite përgjegjësinë ppër masakrën e Reçakut dhe të gjitha masakrat tjera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Madje, udhëheqësit e shtetit serbe vazhdojnë të mohojnë krimet e kryera në Kosovë.

“Mohimi i krimeve, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë” theksoi ajo.

Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Serbia edhe tani vazhdon “me të njëjtat politika dhe me të njëjtën mendësi”, sikur në kohën e Millosheviqit.

Edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi masakrën e Reçakut si “plage të hapur” të Kosovës. Ai tha se institucionet e Kosovës do të punojnë me përkushtim që përgjegjësit për kryerjen e kësaj masakre dhe të tjerave që janë kryer në të katër anët e Kosovës të nxirren para drejtësisë.

“Jemi këtu bashkë si krerë të institucioneve edhe me Kryetarin e Komunës, edhe me kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë, që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, tha ai.

Kurti i shprehu mirënjohje ambasadorit William Walker, i cili e njoftoi botën demokratike se Serbia po kryente në Kosovë krime kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai tha se dëshmia e ambasadorit Walker e ndërgjegjësoi botë demokratike dhe opinionin publik ndërkombëtar.

“Para 27 vjetëve, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker, jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut, u ndërgjegjësuan, u vetëdijesuan dhe mobilizuan edhe opinioni publik ndërkombëtar, edhe kancelaritë diplomatike perëndimore”, u shpreh Kurti.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt  një akademi përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së Reçakut. Aty foli edhe ambasadori William Walker, i cili tha se masakra e Reçakut duhet të jetë motiv për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe për ndërtimin e progresin e Kosovës. 

Presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, dhe bashkëpunëtorët e tij përpiqeshin ta mashtronin botën demokratike dhe opinionin publik në botë se viktimat e masakrës së Reçakut kishin qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila cilësohej si organizatë terroriste, dhe se ata ishin vrarë në përleshje me forcat e sigurisë së Serbisë.

Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë ende ta mohojnë këtë masakër, duke e cilësuar si “gënjeshtër të madhe” dhe si “falsifikim të tmerrshëm të së vërtetës” që ishte bërë me qëllim që të nxitej reagimi ndërkombëtar kundër Serbisë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave të dyshuar për masakrën e Reçakut. Të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë të Kosovës, pasi Serbia refuzon bashkëpunimin me institucionet shtetërore të Kosovës.

Por, Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, sipas ligjit të miratuar pak kohë më parë, pikërisht për të mundësuar gjykimin e përgjegjësve për krimet e luftës në Kosovë që strehohen në Serbi.

(r.m.)