Kosova ka paguar afër 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Prishtinë, 24 korrik 2025 – Ministria e Drejtësisë e Kosovës se ajo i ka realizuar të gjitha pagesat e rregullta për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në njoftim u bënë të ditura edhe shumat e paguara për mbrojtjen juridike të të akuzuarve.

“Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€ (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent). Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent)”, thuhet në njoftim.

Ministria theksoi se pagesat për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë janë realizuar dhe do të realizohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

“Pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Të mërkurën, Fondacioni për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit, kërkoi që Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria e Kosovës të ndërhyjnë urgjentisht për të shmangur largimin e avokatit kryesor të ish-presidentit Thaçi, Lluka Mishetiq, për munesë të mjeteve financiare.

Sipas Fondacionit, “ndryshimet në udhëzimet administrative për financimin e mbrojtjes kanë pamundësuar funksionimin normal të ekipit ligjor” të Thaçit.

“Siç edhe ju kemi njoftuar në kërkesën paraprake (të vitit 2024), vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike e bërë përmes UA [Udhëzimit Administrativ] për plotësimin dhe ndryshimin e UA [Udhëzimit Administrativ] për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë DhSK [Dhomave të Specializuara të Kosovës], ekipin mbrojtës të ish presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij, sepse në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme”, thuhet në letrën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit” dërguar Ministrisë së Drejtësisë.

Të premten, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK-së iu drejtua ministres në detyrë të Drejtësisë Albulena Haxhiu, me kërkesë për sigurimin e fondeve për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së kërkon me urgjencë sigurimin e menjëhershëm të mjeteve të nevojshme për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Hagë, krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm që të bëjë mbikëqyrjen profesionale të gjykatës, si dhe angazhim direkt institucional për të garantuar që të gjithë të akuzuarit të kenë qasje të barabartë në mbrojtje të kualifikuar dhe të pavarur”, thuhet në letrën e OVL të UÇK-së drejtuar ministres në detyrë Albulena Haxhiu.

“Proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së përfaqësojnë jo vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës çlirimtare. Mbrojtja adekuate dhe profesionale e tyre është një domosdoshmëri themelore e drejtësisë dhe një detyrim moral e institucional i Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e OVL të UÇK-së.

Mbështetja financiare për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nga buxheti i Kosovës është paraparë edhe në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në bazë të këtij ligji është lëshuar një udhëzim administrativ që përcakton vlerat financiare për mbrojtjen juridike.

Sipas udhëzimit administrativ MD – Nr. 02/2020, të datës 24 korrik 2020, të nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Selim Selimi, mbulimi financiar i avokatëve mbrojtës të të akuzuarve bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, tarifave të avokatëve në Holandë dhe tarifave të shteteve prej nga vijnë avokatët mbrojtës.

Të akuzuarit ose të autorizuarit e tyre duhet të bëjnë kërkesë zyrtare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike.

(r.m.)