Prishtinë, 4 qershor 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE -Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet të premten, më 5 qershor, në Tivat të Malit të Zi.
Presidenca njoftoi se u.d. Presidentja Haxhiu do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.
Në samitin e Tivatit do të marrin pjesë liderë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Ata do të diskutojnë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, për Planin e Rritjes dhe për çështjet e sigurisë në rajon.
Kosova është vendi i vetëm i rajonit që nuk e ka marrë ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vendimarrjen për Kosovën e bën të vështirë fakti se pesë vende të BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja) nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Në samitin e Tivatit pritet që Kosova të kërkojë të hiqen pengesat e kësaj natyre.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi të mërkurën, në Prishtinë, se BE-ja pret që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.
“Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate në ato për çfarë jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit s’do të kemi më asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, tha Costa.
(r.m.)