Munih, 13 shkurt 2026 – Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se ministri Ejup Maqedonci ka zhvilluar sot me ministrin e mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anushiq, dhe ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, në margjina të Forumit të Sigurisë në Munih.
Në njoftim thuhet se në këtë takim, i cili u cilësua si vazhdimësi e partneritetit strategjik dhe vizionit të përbashkët për forcimin e sigurisë rajonale, janë akorduar hapa konkretë për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit trepalësh në fushën e mbrojtjes.
“Gjatë këtij takimi u dakorduan hapa konkretë për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke e ngritur atë në një nivel më të strukturuar dhe më të fuqishëm”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në fokus të takimin kanë qenë zhvillimi i industrisë së mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua industrisë së mbrojtjes, zhvillimit të kapaciteteve prodhuese në përputhje me standardet e NATO-s për municione dhe sisteme të armatimit, si dhe investimeve strategjike që forcojnë vetëqëndrueshmërinë, rrisin ndërveprueshmërinë dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes, stabilitetit rajonal dhe sigurisë më gjerë”, thuhet tutje në njoftim.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë sivjet stërvitjen e parë të përbashkët, e cila do të jetë në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s dhe me objektivat euro-altantike.
Vitin e kaluar, ministrat e mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës e nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi trapalësh në fushë të mbrojtjes. Marrëveshja parashikon promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Kjo marrëveshje hasi në reagime të ashpra në Serbi. Në disa raste, presidenti Aleksandar Vuçiq, e cilësoi atë si kërcënim për Serbinë dhe paralajmëroi forcim të kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
(r.m.)