Prishtinë, 23 mars 2026 – Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar sot dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, me qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.
Ministria njoftoi se marrëveshjet përfshijnë: Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 49 milionë euro dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga një kredi prej 35 milionë eurosh dhe nga një grant prej 12 milionë eurosh. Këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.
Ndërkaq, Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, citohet të ketë thënë se këto marrëveshje shënojnë “hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit”.
“Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë”, ka thënë Murati.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Kosovë, Xiaoqing Yu, është shprehur optimiste për realizimin me kohë të projekteve dhe e ka riafirmuar mbështetjen e Bankës Botërore për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.
“Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë, lehtësimit të aktivitetit tregtar dhe përshpejtimit të integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
(r.m.)