Kosova nuk është ende në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Strasburg / Prishtinë, 7 maj 2024 – Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës duket se do të jetë më e gjatë dhe më komplekse se sa ishte menduar. Në këtë përfundim çojnë zhvillimet e fundit lidhur me kushtet për anëtarësimin e Kiosovës në këtë organizatë dhe qëndrimet e vendeve më ndikim më të madh në politikat evropiane.

Nga Strasburgu njoftohet se aplikimi i Kosovës nuk është ende në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që do të mblidhet të premten.

“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Estelle Steiner, zyrtare për informim në Këshillin e Evropës, për Telegrafin.

Tashmë është publike se Franca dhe Gjermania insistojnë që Kosova të bëjë përparim në drejtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për t’i hapur rrugë pranimit në këtë organizatë. Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të hënën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nëse përzihen do t’i shkaktohet dëm edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel edhe Këshillit të Evropës”, tha ai.

Gjermania dhe Franca bënë thirrje që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Draftin e statutit të Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës Kosova.

Por, Kurti tha se Draft i Asociacionit është pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, e cila nuk është nënshkruar, prandaj ajo nuk mund të konsiderohet si marrëveshje e veçantë që e obligon Kosovën ta përmbushë në mënyrë të njëanshme.

Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mblidhen në sesionin e tyre vjetor, më 17 maj 2024, në 75-vjetorin e organizatës.

Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

“Procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, citohet të ketë thënë Kurti në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyyanis, ku thuhet se Kosova i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e organizatës, ndërsa çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e konsideron si çështje të brendshme të Kosovës.

Disa ditë pas miratimit, pasi u sulmua ashpër nga Serbia, zonja Bakojanis tha se Kosovës i janë shtruar kushte shtesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar të panevojshme vendosjen e kushteve të reja.

(r.m.)

Comment

*