Kosova pajtohet të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbahen zgjedhje të reja

Prishtinë, 11 korrik 2023 – Qeveria e Kosovës njoftoi të martën në mbrëmje se është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet më tutje në njoftimin e qeverisë.

Qeveria bëri të ditur se planifikon që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të mbahen në vjeshtë.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”, tha ajo.

Qeveria tha se pajtimi për këto masa është arritur në takimin joformal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, që u mbajt të hënën, në Bratisllavë.

Sipas njoftimit, fokusi kryesor i takimit tё Bislimit e Lajçakut ishte “krijimi i parakushteve pёr zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars”.

Ajo paralajmëroi se kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë do të ftohen se shpejti në Bruksel “me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është pajtuar me Kosovën për këto masa që synojnë shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkaq takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë paralajmërohet të mbahet javën e ardhshme.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes Bazike drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën palët janë pajtuar vetëm deklarativisht.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Marrëveshja kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

(r.m.)