“Kosova po hyn në një territor të panjohur”, paralajmërojnë diplomatët perëndimorë

Prishtinë, 25 korrik 2025 – Përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës në Kosovë u shprehën të zhgënjyer që subjektet politike të Kosovës nuk arritën marrëveshje për të zhbllokuar procesin e konstituimin e Kuvendit as të premten, në përpjekjen e 52-të.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe e ngarkuara me punë në Ambasadësn e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e ndoqën nga afër vazhdimin e 52-të të seancës konstituive. Pas ndërprerjes së seancës, ata e shprehën zhgënjimin për dështimin e radhës.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se ai dhe kolegët e tij kishin ardhur sot në Kuvend me shpresë se do të kishte zhvillime pozitive, por mbetën të zhgënjyer që procesi dështoi edhe këtë herë. Ai theksoi se Kosova duhet të ketë sa më parë Kuvend dhe qeveri funksionale.

“Ne erdhëm këtu me shpresë të madhe, por fatkeqësisht sërish nuk ndodhi asgjë. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, tha ai.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, nëpërmjet një postimi në Facebook, u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që t’i tejkalojnë dallimet dhe të zhbllokojnë procesin e formimit të institucioneve të reja. Ai paralajmëroi se Kosova, siç u shpreh, “do të hyjë në një territor të panjohur”, nëse nuk i jepet fund bllokadës politike para përfundimit të afatit kushtetues.

“Sot, përfaqësuesit diplomatikë të vendeve mike të Kosovës e pane dështimin e 52-të me radhë për konstituimin e Kuvendit. U bëj thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, brenda afati të Gjykatës Kushtetuese i cili skadon nesër. Përndryshe, Kosova hyn në një territor të panjohur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendore e ndërkombëtare të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, shkroi ambasadori britanik.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, e cilësoi si “shumë shqetësuese” situatën aktuale politike në Kosovë, për çka e kritikoi ashpër klasën politike.

“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, të themi si një karton i kuq, sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha ai pas dështimit të seancës.

(r.m.)