Kosova pranon dronë RQ-20 Puma, të blerë nga SHBA-ja

Prishtinë, 8 shtator 2025 – Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, njoftoi se Kosova ka pranuar javën e kaluar fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një një postim në Facebook, Maqedonci ka treguar se këta dronë janë blerë përmes programit shtet më shtet dhe se pagesa për këto fluturake është realizuar më 2021.

“Gjatë javës së kaluar pranuam fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Mbrojtjes prokurimin e Fluturakeve pa Pilot “Puma” nga ShBA e ka realizuar përmes programit shtet më shtet, të njohur si Foreign Military Sale (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021”, ka shkruar Maqedonci.

“Flututuraket ‘Puma’, krahas fluturakeve të tjera, janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se Kosova po vazhdon thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes.

“Bashkëpunimi me ShBA në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht duke kontribuar në zhvillimin e ushtrisë tonë si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”, ka theksuar ai.

Maqedonci nuk ka treguar sa fluturake pa pilot i ka blerë Kosova nga Shtetet e Bashkuara.

Para pak javësh, Forca e Sigurisë së Kosovës i pranoi disa autoblinda të blera nga Shtetet e Bashkuara.

Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 sistemeve kundërajrore “Javelin”, pagesën për të cilat është duke e bërë tani.

Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht është në proces të transformimit në ushtri. Ky process, i cili ka nisur në vitin 2018, pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ndërsa NATO e trajton atë si mbrojtje civile që ka detyrë reagimin ndaj fatkeqësive dhe krizave.

(r.m.)