Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt 2024 – Kosova e festoi sot 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në të gjitha manifestimet që u mbajtën me rastin e kësaj feste, më të rëndësishmes për popullin e Kosovës, u shprehën ndjenjat të të thella të nderimit për të gjithë ata që kanë punuar e kanë luftuar për lirinë e pavarësinë e vendit dhe mirënjohjet e falënderimet për të gjithë miqtë, aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë që e kanë mbështetur popullin e Kosovës për realizimin e idealit të brezave të shumtë.

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore, liderët e partive politike dhe qytetarët nderuan Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, familjen emblematike Jashari, dhe të gjithë dëshmorët e rënë  për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Mirënjohjet më të thella për të gjithë brezat që kanë punuar e luftuar për shtetin e pavarur të Kosovës, si edhe për miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë u shprehën edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, kushtuar 16 vjetorit të pavarësisë,

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se miqtë ndërkombëtarë ishin me Kosovën në gjithë rrugëtimin e saj drejt pavarësisë. Ajo e veçoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në mënyrë të veçantë duhet t’u falënderohemi miqve tanë të lirisë: Ju ishit me ne përgjatë rrugëtimit tonë – kur na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për lirinë, kur u çliruam e kur i ndërtuam institucionet tona demokratike. Edhe sot, pa asnjë dyshim ju kemi pranë, në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë dhe të demokracisë. Aleanca jonë me SHBA-në qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës janë të gatshëm edhe të sakrifikohen për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, siç ndodhi në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Mëngjesin e 24 shtatorit, djemtë e vajzat tona e kanë dëshmuar përkushtim e sakrificën për të mbrojtur vendin e tyre”, u shpreh ajo.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se populli i Kosovës ka luftuar e sdakrifikuar shumë për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai shprehu nderime për të gjithë ata që janë sakrifikuar për pavarësi.

“Përkulemi para atyre që e dhanë jetën për liri. Heroizmi i Jasharëve, urtësia e Rugovës dhe ideali i Demaçit. I kemi në zemër të gjithë ata që nuk iu trembën burgjeve e nuk iu trembën demonstratave. I kujtojmë deputetët e 2 korrikut e 7 shtatorit. I përkulemi popullit tonë të pamposhtur, të etur për liri”, është shprehur ai.

Edhe Konjufca u shprehu mirënjohje miqve e aleatëve që qëndruan pranë popullit të Kosovës në rrugën e lirisë e pavarësisë.

“Falënderojmë të gjithë miqtë tanë, pa të cilët rrugëtimi i Kosovës do të ishte i pamundur –më së pari Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas shtetet e Bashkimit Evropian! Falënderojmë NATO-n që e ndali gjenocidin mbi popullin e Kosovës. Falënderojmë të gjitha shtetet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës”, theksoi Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti tha se me shpalljen e Republikës së Kosovës, më 17 Shkurt 2008, u realizua “një aspiratë popullore e brumosur për shumë vite e dekada.

“Kosovën e kanë pjekur para kohe kryengritjet për bashkimin e vilajeteve dhe pavarësinë e Shqipërisë; atë e ka pjekur qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve”, tha ai.

Kurti shprehu indinjatë që Serbia nuk e pranon përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj popullit të Kosovës dhe ende nuk e pranon si realitet shtetin e Kosovës.

“Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët, që përfitojnë e kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët”, theksoi ai.

Kurt ii falënderoi të gjitha shtet që e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë dhe vazhdojnë ta mbështesin edhe sot.

“Në ditëlindjen e 16-të të pavarësisë falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Turqinë dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s. Falënderojmë të gjitha 117 shtetet njohëse të pavarësisë anembanë globit: nga Kanadaja te Australia e Zelanda e Re, nga Japonia te Panamaja e Peruja. Në veçanti falënderojmë Shqipërinë, popullin e saj mbarë, strukturat shtetërore e partiake dhe udhëheqjet politike e shoqërore”, theksoi ai.

Kurt tha se Kosova sot është një ndër vendet më demokratike dhe e përkushtuar të ecë në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike për të garantuar sovranitetin dhe paqen e stabilitetin e rajonit.

“Kosova renditet ndër demokracitë e suksesshme në rajon, ndërkohë që vende të tjera kanë bërë hapa mbrapa duke kufizuar liritë e qytetarëve dhe duke kërcënuar edhe vende të tjera të rajonit. Kosova mbetet e përkushtuar për Procesin e Berlinit, për Planin e Rritjes, dhe do të vijojë punët me partnerët e aleatët tanë perëndimorë për qëllimin e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. Sidomos anëtarësimi i Kosovës në NATO është një imperativ për të garantuar sovranitetin e shtetit tonë dhe për të penguar influencat e Rusisë në rajonin tonë”, tha ai.

Kurti shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe Qeveria e Kosovës mbetet e zotuar për të zbatuar marrëveshjet midis dy shteteve tona. Kosova është në krah të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, si shtete fqinje me të cilat ne ndajmë vlera të njëjta. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë në këto vende do të jenë një faktor për paqe, drejtësi, demokraci dhe aleancë me Perëndimin”, theksoi ai.

(r.m.)