Prishtinë, 17 shkurt 2026 – Kosova shënoi sot 18-vjetorin e pavarësisë. Kremtimet filluan me ngritjen e flamurit nga krerët e shtetit dhe me homazhe te varrezat e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari, te Monumenti i të Pagjeturvete, te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, te memoriali “Heroinat” dhe te varrezat e dëshmorëve anembanë Kosovës.
Në këtë përvjetor, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne, në të cilën u nderua sakrifica e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Presidentja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi. Ajo tha se Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e sovran, për t’i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, dhe hapi një kapitull të ri të historisë kombëtare.
“Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet”, tha ajo.
Osmani nderoi rezistencën politike dhe rezistencën e armatosur të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Ajo veçoi dy emblemat e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, presdidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
“Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe e pastër dhe theksoi se çdo përpjekje për ta njollosur atë i dëmton themelet e paqes në Kosovë.
“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, tha ajo.
“Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë, u ngritën për liri e dinjitet”, tha më tutje Osmani.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në seancën solemne të Kuvendit, tha se Republika e Kosovës, shteti i ngritur mbi sakrifica, kontribute dhe merita, sot ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes.
“Ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon dhe liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ajo ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha ai.
Begaj tha se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë po përballen padrejtësisht me akuza të montuara.
“Historia e Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, tha ai.
Begaj theksoi se lufta e Kosovës ishte e drejtë ndërsa ish-krerët e UÇK-së I cilësoi si simbole të lirisë.
“UÇK-ja dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre janë, siç kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë, kudo, kurdo dhe në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore dhe kombëtare”, tha ai.
Begaj theksoi se e vërteta për luftën e Kosovës për liri e pavarësi nuk mund të trishkruhet dhe theksoi se Shqipëri qëndron në krah të Kosovës.
“E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet dhe ndryshohet. Liria ka emër. Liria meriton respekt dhe drejtësi. Shqipëria është me UÇK-në, komandantët e UÇK-së dhe qytetarët e Kosovës. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës dhe Shqipëria qëndron krah Kosovës”, theksoi Begaj.

Kryeministi i Kosovës, Albin Kurti, tha se Dita e Pavarësisë së Kosovës është ditë e përkujtimit të sakrificës për krijimin e shtetit të Kosovës.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e republikës, së paku që nga viti 1968 e këtej, ndoshta nuk kanë pasur të gjithë të njëjtën përfytyrim e vizion se si do të ishte republika, por ata kishin të njëjtën dëshirë për liri”, tha Kurti.
“Ne kujtojmë sot, qëndresën paqësore të viteve 1990, dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi që ta ruajmë dhe ta lartësojmë republikën tonë, edhe në emrin e tyre”, tha ai.
Kurti tha se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot po akuzohen padrejtësisht. Ai tha se akuzat kundër tyre janë të paqëndrueshe dhe se barazimi i tyre me regjimin gjenocidal të Serbisë është i papranueshëm.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës, po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e prokurorisë speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.
Kurti foli edhe për objektivat e shtetit të Kosovës.
“Ne jemi të vendosur të vijojmë rrugën tonë të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin që na takon për fuqizimin dhe reformimin e sigurisë kolektive në rajonin tonë dhe në Evropë, siç kemi bërë dhe më parë. Për këtë do të vijojmë, të mbështetemi te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te Gjermania, te Britania e Madhe, te Turqia, Franca e Italia, Kanadaja e Japonia, sikurse që do të kultivojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin edhe me shtete të tjera. Do të bashkëpunojmë edhe me shtetet evropiane që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sikurse do të përpiqemi që t’i sigurojmë Kosovës njohje të reja anembanë botës, në mënyrë që të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, siç na takon si shtet sovran e demokratik që jemi”, theksoi ai.
Në 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës mbajti një seancë solemne. Kryeministri Kurti, ndër të tjera, tha se ky është edhe një rast për ndërimin e të gjithë atyre që kanë kontribuuar për krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha Kurti.
(r.m.)