Kosova shpreh pikëllimin për vdekjen e mikut të saj të madh, Eliot Engel

Prishtinë, 10 prill 2026 – Në Kosovë shkakoi pikëllim lajmi për vdekjen e mikut të madh të Kosovës, ish-konresistit Eliot Engel.

Liderët e shtetit dhe liderët e subjekteve politike kanë shprehur vlerësimet më të larta për personalitetin e tij dhe e vlerësuan mbështetjen e tij të madhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova sot e ka humbur mikun e madh të shqiptarëve dhe përkrahësin e palëkundur.

“Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë.

Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Engel dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë sonë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

***

Kryetari  Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se Engel i ka qëndruar në krah popullit të Kosovës kur po shkruhej historia.

“Sonte u nda nga jeta një mik i veçantë i Kosovës, Eliot Engel, i cili qëndroi pranë nesh në kohën kur po shkruhej historia. Ai ishte zëri i drejtësisë për ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe kontributi i tij nuk do të harrohen kurrë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij!

Prehu në paqe, mik i madh!”, ka shkruar Hamza.

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Eliot Engel ishte në anën e drejtë të historisë.  

“Me pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të mikut të madh të Kosovës, kongresistit Eliot Engel.

Në vitet më vendimtare për fatin e popullit tonë, ai ishte një nga zërat më të fuqishëm dhe më të vendosur në mbrojtje të së drejtës sonë për liri. Nuk u tërhoq në asnjë moment kritik. Përkundrazi, qëndroi fort, me bindje të palëkundur, në anën e drejtë të historisë. Angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën e vendos atë ndër miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë.

Marrëdhënia e tij e veçantë me Presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe mbështetja e tij e fuqishme për vizionin e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, janë dëshmi e një përkushtimi të rrallë dhe të sinqertë. Ai nuk ishte vetëm një aleat politik, ishte një mik i vërtetë i popullit tonë. Dekorimi i tij nga Presidenti Rugova me Medaljen e Artë të Lirisë në vitin 2004 ishte simbol i vogël përballë madhështisë së kontributit të tij.

Kontributi i kongresistit Eliot Engel në afirmimin e së vërtetës për Kosovën dhe në forcimin e lidhjes sonë të përhershme me SHBA-të është i jashtëzakonshëm dhe i pashlyeshëm.

Sot, Kosova ka humbur një mik të madh. Por vepra, fjala dhe përkushtimi i tij do të jetojnë përherë në themelet e shtetit tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, popullit amerikan dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

***

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Engel iu përkushtua çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve gjatë gjithë angazhimit të tij jetësor.

“Miku i madh i shqiptarëve, kongresisti Eliot Engel, gjatë gjithë angazhimit të tij jetësor, u përkushtua ndaj çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve.

Shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij historik dhe të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ai do të kujtohet gjithmonë si ikonë e miqësisë së përjetshme me SHBA-në.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.

U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj.

(r.m.)