Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bisedojnë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Zagreb, 3 shkurt 2026 – Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, në një takim treppalësh të zhvilluar më 29 janar në Zagreb, kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Takimi është mbajtur në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar më 18 mars të vitit 2025 në Tiranë, dhe është fokusuar në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit për rritjen e aftësisë mbrojtëse, për zhvillimin e industrisë mbrojtëse, si edhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se diskutimet janë fokusuar në katër fusha kryesore të bashkëpunimit, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si edhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Në këtë takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë të këtyre tri shteteve për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe për të kontribuar në proceset e integrimit euro-atlantik të vendeve të rajonit.

“Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes së përbashkët të nëshkruar vitin e kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

Serbia ka reaguar ashpër lidhur me nënshkrimin e deklaratës së bashkëpunimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushë të mbrojtjes. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar këtë si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë”.

Por, nënshkruesit e deklaratës thonë se ajo nuk është kundër askujt, pra as kundër Serbisë. Pak ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se edhe Serbia ishte ftuar të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i ishte përgjigjur fare kësaj ftese.

Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të aleancës ushtarake veri-atlantike, NATO. Kosova shpreson që edhe ajo të bëhet pjesë e kësaj aleance.

(r.m.)

Comment

*