Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili synon të destabilizojë Europën përmes Kosovës. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.
Viti që po lëmë pas u mbyll me heqjen e barrikadave serbe në veri të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.
Barrikadat edhe kësaj radhe u përdorën si mjet shantazhi, ku Serbia tash më nuk po e fsheh qëllimin e saj grabitçar për të qenë bashkëpronare e Kosovës, për aq sa asaj i konvenon ta trajtojë çështjen serbe si proces të papërfunduar. Të gjitha qeveritë serbe në Beograd pushtetin e kanë mbajtur duke projektuar plane e ide të cilat janë përdorur për të mbajtur gjallë hegjemoninë përmes metodave më brutale. Tani Serbisë i ka mbetur Kosova si poligoni i fundit i kësaj hegjemonie dhe gjithkush që ka iluzione se Serbia tërhiqet vullnetarisht nga këto aspirata e ka shumë gabim. Në Serbi janë ndërruar disa pushtete me orientime të djathta e të majta, por të gjithë e kanë përdorur Kosovën si “klinikë” për të mbajtur gjallë gjendjen shpirtërore të nacionalizmit serb.
I fundit që po tregohet më këmbëngulës në trajtimin e Kosovës si terapi nacionaliste, është presidenti serb Aleksandar Vuçiq. I ardhur nga shkolla radikale serbe e urrejtjes dhe i kalitur në shkollën millosheviqiane të manipulimit, Vuçiqi aktualisht, pa e penguar askush nga Brukseli dhe Washingtoni, është dinozauri i fundit i politikës serbomadhe që ende po mbijeton me metodat e njëjta që shpien në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.
Kosova për Vuçiqin është një tokë e “shenjtë serbe”, prandaj ai në këtë tokë sillet si t’i teket dhe vendos barrikada sa herë që rejtingu i tij matet në kandarët e manipulimit me serbët e Kosovës. Po të ishte ndryshe, serbët e Kosovës deri tani do të nxirrnin një lider kredibil që do t’i përfaqësonte interest e tyre në institucionet e Kosovës. Serbët lokalë nuk kanë lider të tyre, sepse Vuçiqi vazhdon t’i manipuloj ata duke i përfaqësuar problemet e serbëve si pjesë e axhendës së tij kundër shtetit të Kosovës. Kjo axhendë do të jetë në fuqi deri sa Vuçqi ta bëjë Kosovën si Bosnjë dhe Hercegoninën, sepse një shtet i konsolidur i Kosovës atij jo vetëm që nuk i konvenon, por edhe ia zhvesh qëllimet hegjemoniste që ka. Për rrjedhojë, barrikadat mund të përdoren sërish si mjet shantazhi deri në krizën e ardhshme që Beogradi vet e shkakton, sepse vetëm në këtë mënyrë llogaridhënia për dështimet në luftimin e krimit e korrupsionit, për rënien ekonomike, për papunësinë, për migrimin masiv të të rinjëve, do të shtyhet deri në zgjedhjet e radhës kur Vuçiqi sërish do të del me një narrativë edhe më të dhimbshme për “fatin e mjerë” të serbëve të Kosovës.
Duke komentuar ngjarjet e fundit, Edward Joseph, pedagog në Universitetin e Uashingtonit dhe ish-zëvendës shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka zbërthyer më së miri synimet e mëpastajme dhe prapaskenat e Serbisë pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.
“Ato barrikada, të cilat për fat të mirë janë hequr, janë vetëm një metaforë, sepse mes Serbisë dhe Kosovës ka ‘barrikada gjigante’. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Joseph.
Eksperti amerikan ka paralajmëruar se Vuçiç po përgatit një tjetër skenar për krizë në Kosovë. Ai shton se nëse vendosen barrikada, mund të korren përfitime. Joseph shprehet se të gjithë e dinë se cila është çështja kryesore aktuale në veri të Kosovës dhe këtë e dinë edhe serbët atje.
“Çështja kryesore është sundimi i ligjit në atë fushë. Prandaj, është problem edhe për serbët në veri të Kosovës, e jo vetëm për institucionet në Prishtinë, të cilat përpiqen të zgjerojnë kontrollin e tyre në atë rajon. Më saktë, lind pyetja se kush është në krye të zbatimit të ligjit”, tha Joseph.
Njëra prej arsyeve se pse Beogradit i pengon konsolidimi i shtetit të Kosovës, është pikërisht çështja e luftimit të krimit dhe konrabandës që po mundohet ta zbatojë Qeveria e Kosovës. Siç raportuan edhe shumë media të pavarur të Beogradit, në barrikadat e fundit në veri të Kosovës nuk luftohej për kurfarë kauze serbe. Aty luftohej për më shumë kontrollë nga bandat e lidhura me Vuçiqin , prandaj me të drejtë mediat gjermane konstatuan se është irrituese që BE-NATO pranuan kushtet e Vuçiqit, sepse heqja e barrikadave nuk e zgjidh konfliktin. “Kosova mbetet një fuçi baruti”, ndërkohë që me të drejtë shumë analistë dhe vëzhgues e kritikojnë politikën e perëndimit kundrejt Serbisë si zbutëse.
Gazeta austriake “Der Standard” më së miri e ka trajtuar këtë politkë të pakuptimit të perendimit, duke konstatuar se përmes mënyrës se si u zgjidh konflikti nga BE, e mira më e rëndësishme e demokracive perëndimore, shteti ligjor u bë i negociueshëm.
“Është veçanërisht irrituese, që BE dhe NATO i pranuan kushtet e aktivistëve militantë, që janë nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe nuk kanë mandat. […]Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal: Kosova nuk mund të kujdeset që të gjithë pronarët e automjeteve të përdorin targat e parapara, dhe nuk mund të mbajë në kohën e duhur zgjedhje. Njerëz, që ilegalisht, bllokojnë trafikun nuk mund të nxirren para përgjegjësisë, dhe policia e vendit nuk mund të zbatojë monopolin e pushtetit”, konkludon “Der Standard”.
Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili përmes Kosovës synon të destabilizojë Europën. Por Brukseli si duket ende nuk e ka kuptuar se influenca ruse në Ballkan nuk mund të ndalet duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme Vuçiqit. Fatkqeqësisht këto lëshime po bien mbi kurrizin e Kosovës, e cila është e detyruar të heqë dorë nga e drejta legjitime për të ushtruar ndikimin e shtetit ligjor në tërë teritorin. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.
Prishtinë, 01 janar 2023