Prishtinë, 16 gusht 2021 – Kosova u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe dhjetëra shteteve tjera, në thirrjen që të gjitha palët të respektojnë dhe ndërmjetësojnë largimin e sigurt të shtetasve të huaj dhe atyre afganë, që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.
Më 15 gusht, luftëtarët talibanë kanë hyrë në kryeqytetin afgan, Kabul dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.
“Ata persona që janë në pushtet dhe kanë autoritet në Afganistan, kanë përgjegjësi për mbrojtjen e jetëve dhe pronave të njerëzve, si dhe për rikthim të menjëhershëm të sigurisë dhe rendit civil”, është thënë në deklaratën e përbashkët, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Mes tjerash në deklaratë është përmendur se shtetasit afganë dhe ata ndërkombëtarë që duan të largohen nga ky shtet, duhet të lejohen ta bëjnë një gjë të tillë, dhe se rrugët e aeroportet duhet të mbesin të hapura si dhe të ruhet qetësia.
Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata kanë thënë të kenë pasur me autoritetet amerikane.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo ka deklaruar se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.
Më 15 gusht, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga mesi i korrikut janë në diskutim me autoritetet amerikane sa i përket strehimit të afganëve që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përgjigje pozitive për strehim të afganëve kanë dhënë edhe autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Situata në Afganistan ka nisur që të përkeqësohet prej kur trupat ndërkombëtare kanë nisur të largohen nga ky shtet, në maj të këtij viti.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.
(REL)