Kosovë: KPM kërkon që çështja e pronësisë së medieve të rregullohet me ligj

Prishtinë, 4 korrik 2023 – Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) ka ngritur shqetësimet për rrezikun e monopolizimit të tregut mediatik në Kosovë.

Në Komisionin parlamentar për Administratë dhe Media, KPM ka kërkuar që këto çështja e pronësisë së medieve audiovizuele të rregullohen me ligjin e ri për KPM-në.

Besnik Berisha, anëtar i Bordit të KPM-së, e ka ngritur shqetësimin për shkeljet ligjore gjatë bartjes së pronësisë së mediave.

“Ka raste që një kompani mediale vjen në KPM dhe kërkon transfer të pronësisë pasi paraprakisht i ka kryer procedurat në ARBK (Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë). Atëherë kjo është në kundërshtim me ligjin (Ligjin për KPM-në), ngase paraprakisht duhet të sigurohet nga ne (KPM) një aprovim që është në rregull kalimi i pronësisë”, ka thënë ai.

Berisha ka shpjeguar se “nuk është në pyetje një ofrues i shërbimeve audiovizuale, por disa”.

Kryetari i bordit, Jeton Mehmeti, ka thënë se ai e ka pranuar një draft të rregullores lidhur me parandalimin e koncentrimit të pronësisë së mediave, i cili është hartuar nga ekspertë të Bashkimit Evropian. Por, ai e ka vlerësuar të nevojshme që këto çështje të adresohen në ligjin e ri për KPM-në.

“Ne, si komision i ri, e kemi parë draftin, e kemi analizuar, por ende nuk i kemi ndërmarrë veprimet konkrete për ta nxjerrë në publik. Kjo për arsye se rregullat mbi koncentrimin medial supozojmë që do të ishte mirë të gjenden në ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka kërkuar që kjo të bëhet sa më parë dhe ka paralajmëruar se KPM-ja do ta nxjerrë në diskutim publik draftin e hartuar nga ekspertë të Bashkimit Evropian, në qoftë se rregullativa e re ligjore lidhur me këtë çështje nuk miratohet gjatë këtij viti.

“Në qoftë se brenda vitit nuk bëhet ndonjë lëvizje nga institucionet për ta adresuar me ligj çështjen e koncentrimit të pronësisë së mediave, KPM-ja do ta hedhë në konsultim publik atë draft-rregullore”, ka thënë ai.

Shumica e anëtarëve të Komisionit për Administratë dhe Media të Kuvendit të Kosovës e kanë mbështetur KPM-në në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me pronësinë e medieve dhe operatorëve të shërbimeve audio-vizuele

Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Haziri, ka kërkuar që KPM-ja të ndërmarrë masa ndaj të gjithë operatorëve që kanë kryer veprime të jashtëligjshme.

“Kërkojmë prej jush që që t’i shqyrtoni të gjitha veprimet e mëhershme dhe vendimet e jashtëligjshme të mëhershme që kanë ndodhur dhe të ndërmerrni masa konform ligjit që është në fuqi”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se Komisioni është i interesuar që “të mos ketë monopol medial, sepse kjo është në dëm të lirisë dhe pavarësisë së mediave.

(r.m.)