Prishtinë, 30 korrik 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetsisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se varianti “Delta” i koronavirusit është dominues në Kosovë, sikur edhe në shumë vende të botës.
Sipas zyrtarëve të këtij instituti, rreth 90 për qind e rasteve të reja pozitive janë të infektuar me variantin “Delta”, ndërsa rrëth 7-8 për qind janë të infektuar me variantin “Alfa”.
Tash për tash, nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me variantet “Beta” dhe “Gama”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, si pasojë e përhapjes së variantit “Delta”. Ai ka theksuar se “arma e vetme” kundër përhapjes së pandemisë është vaksinimi.
“Sot, kur vendi ynë ka vaksina për secilin qytetar dhe kur qytetarët mund ta zgjedhin vaksinën dhe kur janë hequr kategoritë e vaksinimit, nuk ka asnjë arsye të vetme për të mos u vaksinuar”, ka theksuar Vitia.
Sipas tij, Kosova ka kapacitet për të vaksinuar 16 mijë deri në 20 mijë persona në ditë, por ka pranuar se është ende larg objektivit për imunizimin e 60 për qind të popullatës kundër COVID-19, deri në vjeshtë.
Ministri Vitia ka njoftuar se është punuar në shtrirjen e rrjetot të oksigjenimit qendror në spitalet që kamunguar ky rrjet dhe se dhe janë bërë intervenime urgjente në spitalet ku ka pasur nevojë.
(r.m.)