Kosovë, veteranët e UÇK-së dhe qeveria pa zgjidhje për pagën minimale

Udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dështuan të merren vesh të premtën për gjetjen e një zgjidhje për përfshirjen e veteranëve në projektligjin për pagën minimale.

Projektligji i miratuar në parim, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht. Nëse ky projektligj hyn në fuqi, veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre.

Të pakënaqur me mospërfshirjen e tyre në projektligjin e ri, veteranët e luftës protestuan për shumë orë të enjten para institucioneve shteërore të Kosovës,

“Me kryeministrin nuk u dakorduam sepse ne kërkojmë që të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshu kjo qeveri me Kuvendin e Kosovës ku i kanë largu benefecionet për veteranët e luftës, që është me ligj që nuk mund të jetë më pak se paga minimale. Ne i thamë që kërkojmë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që do të mbahen ne do të vazhdojmë protestat tona deri sa kjo çështje të rregullohet”, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Qeveria e Kosovës thotë se është e përkushtuar të gjejë një zgjidhje për veteranët por ngulë këmbë në hetimin e listave të të regjistruarve si veteran, pasi që sipas zyrtarëve qeveritar ato janë të fryra.

“Arsyetimet e kryeministrit janë se ai prapë thirret për numrin e madh të veteranëve që nuk është çështje e tij por e gjykatës sepse ne e kemi dërgu këtë çështje në gjykatë dhe duhet pritet procesi gjyqësor, qoftë për verifikim por edhe kategorizim. Këto arsyetime të tyre janë të pabaza sepse edhe nëse krijohet komision i ri prapë do të bëhet verifikimi përmes atyre komandantëve”, tha zoti Klinaku.

Përveç protestave veteranët paralajmëruan se çështjen do ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. (VOA)