KQZ i aprovon 72,746 pako të votave nga diaspora, i refuzon 2,844 sosh

Prishtinë, 14 qershpr 2026 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i verifikimit dhe numërimit të votave  të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.

KQZ ka bërë të ditur se deri në fund të ditës së shtunë, më 13 qershor 2026, në QNR janë trajtuar gjithsej 75,590 pako me vota të ardhura me postë. Prej tyre, 72,746 pako janë aprovuar, ndërsa 2,844 sosh janë refuzuar.

KQZ ka njoftuar edhe arsyet e refuzimit të 2,844 pakove.

“Arsyeja kryesore e refuzimit të fletëvotimeve me postë është mungesa e dëftesës së regjistrimit, e cila është evidentuar në 2,571 raste. Kjo dëftesë përmban të dhëna unike të votuesit dhe lëshohet nga KQZ gjatë procesit të regjistrimit”, thuhet në njoftim.

“Përveç kësaj, janë evidentuar edhe arsye të tjera të refuzimit, përfshirë raste kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177 raste), kur votuesi ka dërguar pakon nga shteti tjetër nga ai ku ishte regjistruar (21 raste), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa pa fletëvotim (27 raste), si dhe raste me mungesë të pullës apo vulës postare (5 raste). Është evidentuar gjithashtu një rast kur fletëvotimi ka qenë i shtypur, si dhe 42 zarfe të dërguara gabimisht”, thuhet më tutje në njoftimin e KQZ-së.

Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026. Rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar në këtë mënyrë. Tërheqja e pakove me fletëvotime nga 23 kutitë postare në 22 shtete të ndryshme dhe nga ajo e Kosovës, është përmbyllur më 8 qershor 2026.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e rezultateve të zgjedhjeve deri të dielën (14 qershor 2026) në ora 18:00, janë numëruar 60 nga gjithsej 156 kuti votimi të ardhura me postë. 68.72 përqind e tyre janë të Lëvizjes Vetëvendosje, 16.54 për qind janë të Lidhjes Demokratike të Kosovë, 7.37 për qind të Partisë Demokratike të Kosovës dhe 5.48 për qind të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në total, kur janë numëruar 93,37 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 44.96 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20, 33 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 17,24 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.97 për qind.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 51 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse. 20 ulëset tjera në Kuvend janë të rezervuara për komunitet joshumicë.

(r.m.)

Comment

*