KQZ: Me 21 prill votohet për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës

Prishtinë, 8 mars 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticioni gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i Komisionit Qendror të zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill e vitit 2024”, tha drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Për të larguar kryetarin e një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjeterë nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog tha se e vlerëson vendimin për të caktuar datën e votimit për shkarkimin e kryetarëve. Ai shkroi në rrjetet sociale se “tashmë është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.

(Zëri i Amerikës)