Prishtinë, 30 janar 2026 – Procesit të stërzgjatur të numërimit të votave nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 duket se po i vjen fundi.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se ky proces pritet të përfundojë sot (e premte) në mbrëmje.
“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces, si: Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, ka deklaruar Elezi.
Procesi i numërimit pothuajse ishte përfunduar, por Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) hasi në disa parregullsi që kishin ndodhur në disa qendra të numërimit. Fillimisht ato u konstatuan në Prizren, ku kishte dallime të mëdha në vota të kandidatëve për deputetë. Pastaj u konstatuan parregullsi edhe në Drenas dhe në Malishevë. Për këtë arsye, KQZ vendosi për rinumërim të të gjiha votave.
Gjatë procesit të deritashëm të rinumërimit të votave është konstatuar se mbi 80 mijë vota të kandidatëve kanë qenë të pasakta. Gati gjysma e tyre, rreth 40 mijë kanë të bëjnë me kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), rreth 15 mijë mer Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), rreth 11 mijë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rreth 4 mijë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Prokuroria e Shtetit ka gjetur se manipulimi me vota është kryer në dy mënyra: përmes shtimit të votave në sistem nga numëruesit (në rastet kur qytetarët i kanë votuar më pak se 10 kandidatë) dhe npërmes heqjes së votave të një kandidati dhe shtimit të votave të një kandidati tjetër brenda partisë.
Pavarësisht prej manipulimeve me vota, vetëm Fikrim Damka, kandidat i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, e ka humbur mandatin e fituar nga manipulimi me vota. Vendin e tij e ka zënë bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Pas përfundimit të procesit të rinumërimit do të fillojnë afatet për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme nga subjektet politike dhe nga kandidatët për deputetë.
Certifikimi I zgjedhjeve do të bëhet pa përfundimit të procesit të vendimarrjes lidhur me ankesat.
(r.m.)