Krahasimi i pavend me rastin e Kumanovës

Nga Ruben Avxhiu

Po merresha me diçka tërësisht tjetër kur po nuk ndjenja dot pa i shkruar disa rreshta për komentin e Veton Surroit sipas të cilit si glorifikimi i terroristëve serbë në Kosovë ashtu edhe ai i shqiptarëve të armatosur në Kumanovë është i gabuar.

E kuptoj dëshirën e Surroit që të tregojë se nuk ka nevojë të jesh nacionalist që të dënosh terroristët serbë dhe se njerëzit si ai nisen nga parime universale e jo arsye etnike, por në shqip kësaj i thonë “të duash të heqësh vetullat e të nxjerrësh sytë”.

Shqiptarët e vrarë në Kumanovë u nderuan nga një shoqatë veteranësh e nga figura e organizata, por kurrësesi nga shteti i Kosovës apo i Shqipërisë.

As në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk u shpall ditë zie. Presidentët, kryeministrat, e asnjë figurë zyrtare apo institucion shtetëror nuk i trajtoi si heronj.

Asnjë parti politike shqiptare, e asnjë drejtues shqiptar i pushtetit lokal në Maqedoninë e Veriut nuk shpalli ditë zie.

Grupi i Kumanovës nuk përbëhej nga njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin në Shqipëri apo në Kosovë.

Nuk ishin armatosur me armë të Ushtrisë së Shqipërisë apo të FSK-së, madje kishin armë që FSK-ja do të donte t’i kishte.

Grupi i Kumanovës, pavarësisht se çfarë agjende kishte, nuk sulmoi por u sulmua. Flitet se u nxit e u ftua në grackë.

Thirrjet e vetme zyrtare shqiptare ishin për një proces hetimor e ligjor të drejtë, që zbulonte të vërtetën e jo të bënte politike elektorale, e antishqiptare.

As Shqipëria dhe as Kosova nuk e kanë vënë në dyshim ekzistencën dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Të dyja e mbështesin integritetin territorial të saj dhe anëtarësimin e saj në NATO dhe BE.

Që ta mbyll, këto janë kohë të vështira dhe të gjithë e teprojmë nganjëherë për shkak të impulseve tona emocionale e ideologjike, dëshirës për të dalë më patriotë e më intelektualë, më njerëzorë e më të zgjuar se të tjerët. Por sa më i madh ndikimi e sa më e madhe përvoja që vjen pas emrave tanë, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia e aq më i madh kujdesi që duhet të tregojmë.

Shpresoj që zoti Surroi ta fshijë komentin ose ta modifikojë.