Krasniqi: Pse BE-ja hesht kur Serbia i përsërit shkeljet e marrëveshjeve?

Prishtinë, 5 prill 2024 – Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka akuzuar Bashkimin Evropian se po tregohet i njëanshëm kur bëhet fjalë për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi, në një postim në platformën “X”, ka thënë se BE-ja nuk komenton kur Serbia i shkel marrëveshjet e Brukselit, si në rastin e themelimit të task-forcës për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa e kritikon Kosovën edhe për vendimin e qeverisë për shpronësim të tokës për interes publik.

“Kur Serbia i përsërit shkeljet e marrëveshjeve, BE-ja preferon të mos hyjë në detaje dhe të përmbahet nga çdo koment i mëtejshëm. Por, kur bëhet fjalë për Kosovën, komentet mund të jenë po aq specifike sa komentimi i një vendimi të qeverisë për shpronësimin e tokës, dhe bëhet me gisht. Pse?”, ka shkruar ministri Krasniqi.

Të premten, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk deshi të komentojë vendimin e Qeverisë së Serbisë për formimin e task-forcës për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nuk dua të hyj në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.

Në nenin 4 të Marrëveshjes thuhet se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

(r.m.)