Krasniqi: Veprimet e Qeverisë kanë dëmtuar raportet me partnerët tanë strategjikë

Prishtinë, 6 qershor 2023 – Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, janë takuar të martën në Prishtinë edhe me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka thënë në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në veri dhe kanë dëgjuar qëndrimet amerikane dhe evropiane për situatën atje. Ai ka thënë se në takim kanë përsëritur qëndrimin e PDK-së lidhur me situatën dhe zhvlliimet aktuale.

Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk i ka parë të shqetësuar dhe të zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë sikur tani. Ai ka thënë se nuk po shihen lëvizje përpara dhe se situata aktuale është duke e dëmtuar Kosovën.

“Është e vërtetë që situata aktuale është shumë shqetësuese, ne po shohim që nuk ka një lëvizje përpara. Ka një situatë e cila është duke e dëmtuar Kosovën, në kuptimin e raporteve të saj ndërkombëtare, në radhë të parë me partnerët strategjikë, andaj kërkuam dhe shprehëm gatishmërinë tonë që të luajmë rolin tonë shtetëror për të ruajtur relacionet tona me SHBA-në në radhë të patë dhe shtetet e BE-së”, është shprehur Krasniqi.

I pyetur nëse PDK e mbështet kërkesën për zgjedhje të reja në veri, ai ka thënë se në takim nuk është diskutuar për tema konkrete.

“PDK-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes kur Qeveria, pa konsultim, në mënyrë të fshehur e pa koordinim ka ndërmarrë veprime të cilat e kanë sjellë në këtë situatë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se është e rëndësishme të mos krijohet klimë për përshkallëzim të situatës.

“Ne do të jemi në konsultim ditor me kryetarët e Zveçanit e Zubin-Potokut, me partnerët ndërkombëtarë, për të parë se cilat janë veprimet e duhura për të shkuar përpara. Edhe dje i kam takuar kryetarët ata janë duke vazhduar punën nga zyrat alternative, ashtu qysh është duke bërë edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, kështu që për momentin ajo që është shumë e rëndësishme është moskrijimi i mundësive për përshkallëzim të situatës së sigurisë, ruajtja e qetësisë dhe rruga para nesh”, ka thënë Krasniqi.

(r. m.)