Kremlini mohon se po e shtyn Serbinë të nxisë tensione në Kosovë

Moskë, 28 dhjetor 2022 – Kremlini hodhi poshtë pretendimet e Kosovës se Rusia po e shtynë Serbinë që ta destabilizojë situatën në Kosovë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi “krejtësisht të gabuar” pretendimin për ndikim destruktiv të Rusisë në Kosovë. Por, ai i dha të drejtë Serbisë, duke thënë se ajo “vetëm po i mbron të drejtat e serbëve etnikë” në Kosovë.

Peskov i bëri këto komente duke komentuar deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia po synon të destabilizojë Kosovën, me ndikimin e Rusisë.

Sveçla deklaroi të martën, më 27 dhjetor, se Serbia është ndikuar nga Rusia kur ka marrë vendim që të rrisë në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave ushtarake dhe policore serbe.

Serbia ka mohuar se po tenton të destabilizojë Kosovën, por është zotuar se “do t’i mbrojë” serbët që jetojnë në Kosovë.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga nëntori, pasi zyrtarët serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan më 10 dhjetor, kur disa grupe serbësh vendosën barrikada në rrugët kryesore në pjesën veriore të Kosovës. Barrikadat e kanë pamundësuar lëvizjen drejt dy pikëkalimeve kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Prej të martës, më 27 dhjetor, është mbyllur për qarkullim edhe pika e kalimit kufitar në Merdar, në afërsi të Podujevës, për shkak se një grup serbësh vendosi barrikada rreth dy kilometra bfrena territorit të Serbisë.

(r.m.)