Krenar që e kisha mik dhe që bashkëpunuam në vite për Kosovën dhe çështjet shqiptare

Deklaratë e Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New York, për vdekjen e ish-kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel

 

 

Me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e mikut tim të vjetër, kongresistit Eliot Engel.

Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të bashkëpunoj me të për shumë vite për të ndihmuar çështjen e Kosovës në Kongresin Amerikan.

E shoqërova dy herë personalisht, bashkë me bashkatdhetarë të tjerë, në vizitat e tij në Kosovë. Jemi kthyer me kujtime të çmuara që nuk harrohen deri në fund të jetës.

Me propozimin tim ngriti flamurin amerikan në Capitoll Hill për të nderuar shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Për dorëzimin e flamurit organizuam një ceremoni në Washington, në të cilën Engel na u bashkua me bujari dhe mbajti edhe një fjalim.

Ka qenë një kënaqësi që ta përkrahja duke organizuar takime dhe darka fondmbledhëse në ndihmë të fushatave të tij elektorale për rizgjedhje në Kongres.

Mbetem krenar që kisha miqësi të ngushtë me këtë njeri të madh që ka dhënë kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës, demokracinë në Shqipëri, dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës. Askush nuk na ka ndihmuar sa ai në gjatësinë kohore për rreth tre dekadash në Kongres.

Ngushëllime bashkëshortes, Pat dhe tre fëmijëve të tij.

Eliot Engel do të mbetet pjesë e pandashme e historisë së kombit shqiptar dhe nuk do të harrohet.

Homzhe mbi varrin e Presidentit Rugova në Prishtinë: Nga e majta, Vehbi Bajrami, Harry Bajraktari, Eliot Engel, dhe Rrustem Gecaj.