Prishtinë, 1 janar 2026 – Krerët e institucioneve shtetërore dhe liderët e partive politike në Kosovë shprehën konsideratat më të larta për ish-kryetarin e Kuvenditt ë Kosovës, Nexhat Daci, i cili ndërroi jetë të enjten, më 1 janar 2026.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi kontributin e Dacit në shkencë dhe në politikë. Ajo tha se Daci ka dhënë kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës.
“Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit.
Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës.
Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”, ka thën Presidentja Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës në shpërbërje, Dimal Basha, e vlerësoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.
“Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës.
Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim”, tha Basha.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në mesazhin e ngushëllim për familjen Daci, kolegët e bashkëpunëtorët e Nexhat Dacit, ka thënë se ai “do të mbetet një emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”.
“Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008”, tha Kurti ndër të tjera.
“Ngushëllime familjes Daci, kolegëve të tij profesorë dhe akademikë, si dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nexhat Daci do të mbetet një emër me rëndësi në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”, thekso ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se trashëgimia e Nexhat Dacit është pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës.
“Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit është një humbje e madhe për Kosovën. Ai ishte institucionalist dhe akademik i përkushtuar, që kontribuoi shumë në jetën publike, duke besuar në rendin kushtetues, dialogun institucional dhe dijen si udhërrëfyes të shoqërisë.
Trashëgimia e akademik Nexhat Dacit është pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës”, tha Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cilësoi Dacin si njërin nga figurat më të rëndësishme shkencore dhe shtetformuese të Kosovës.
“Sot Kosova humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme shkencore dhe shtetformuese. Akademik Nexhat Daci ishte jo vetëm mendje e ndritur e vendit, por edhe zë i përgjegjësisë publike, i dinjitetit qytetar dhe i përkushtimit të palëkundur ndaj shtetit të Kosovës. Gjatë gjithë jetës së tij ai qëndroi në shërbim të dijes, institucioneve dhe të së ardhmes së vendit tonë.
Si profesor, akademik dhe drejtues institucionesh, ai kontribuoi thellë në zhvillimin e arsimit të lartë, të shkencës dhe të mendimit akademik në Kosovë. Ndërsa si personalitet publik, si Kryetar Kuvendi. la gjurmë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin tonë shtetformues”, tha Abdixhiku.
Ndërsa Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Daci do të kujtohet përherë për urtësinë, vizionin shtetformues dhe përkushtimin e palëkundur ndaj Kosovës.
“Kosova humbi sot një personalitet të shquar të jetës akademike dhe institucionale. Ndarja nga jeta e akademikut Nexhat Daci është humbje e madhe për vendin. Do të kujtohet përherë për urtësinë, vizionin shtetformues dhe përkushtimin e palëkundur ndaj Kosovës. Kisha nderin që bashkë me të dhe Presidentin Rugova, të bashkëpunonim ngushtë në ditët më të ndjeshme të shtetndërtimit të vendit”, tha Haradinaj.
(r.m.)