Krerët e shtetit të Kosovës urojnë festën e Krishtlindjes

Prishtinë, 24 dhjetor 2023 -Krerët më të lartë të shtetit u kanë përcjellë mesazhe urimi për festën e Krishtlindjes besimtarëve katolikë të Kosovës dhe shtetasve të huaj që jetojnë apo shërbejnë në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani në urimin e saj ka thënë se festa e Krishtlindjes është një shembull reflektimi e solidariteti. Ajo ka bërë thirrje për solidaritet dhe mbështetje të njerëzve në nevojë.

“Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm.

Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë.

Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje!

Gëzuar për shumë mot!”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Krishtlindjen u aka uruar besimtarëve edhe Buzmin.

“Teksa po hyjmë në javën e fundit të këtij viti, besimtarët e krishterë e festojnë Krishtlindjen! Urime Krishtlindja besimtarëve të krishterë në vendin tonë: qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe banorëve të huaj të krishterë në shtetin tonë.

Lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet ‘gjithmonë tani’ e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë.

Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor.

Ndër ne shqiptarët, kjo kohë festash përkon edhe me festën e Buzmit bujar, fillimit të zgjatjes së ditës dhe ditëknelljen, që në besimet popullore shqiptare festohet nën ngrohtësinë e zjarrit të vatrave tona. Andaj shkurt e shqip: urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar!

Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen tonë të përbashkët!”, thuhet në urimin e Kurtit.

Ndërsa Kryetari i Kuvendet, Glauk Konjufca, ka theksuar se festa e Krishtlindjes përçon frymën e ngrohtësisë dhe mirësisë me njëri-tjetrin, si edhe të përkujdesjes, përkushtimit, shpresës, të mirës dhe të të drejtës.

“Besimtarëve katolikë shqiptarë dhe të gjithë të tjerëve kudo që ndodhen ua uroj festën e Krishtlindjes!

Kjo ditë vjen për të shtrirë frymën e saj të ngrohtësisë e mirësisë me njëri-tjetrin, përkujdesit dhe përkushtimit, shpresës, ideve të së mirës dhe së drejtës, përqafimi i të cilave ekuilibron jetën dhe horizontet e përbashkëta.

Shëndeti, gëzimi, prekja e dashurisë dhe solidaritetit më të thellë qofshin ato që shoqërojnë këtë festë në familjet tuaja dhe kudo.

Gëzuar Krishtlindjen!”, thuhet në urimin e Konjufcës.

(r.m.)