Kreu i SPAK-ut për Arben Ahmetajn: Gjatë kontrolleve në banesa u gjetën prova

Tiranë, 31 mars 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) bëri të ditur sot se gjatë kontrolleve në banesat e ish bashkëshortes së ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, dhe bashkëjetueses së tij, janë gjetur disa prova. “Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerëspi se në këto ambjente mund të gjendeshin prova. Dhe mund të them se janë gjetur prova”, mësohet të ketë deklaruar drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, gjatë një bashkëbisedimi informal me një grup gazetarësh. Zoti Dumani nuk ofroi shpjegime të mëtejshme se për çfarë lloj provash bëhej fjalë.

Zoti Ahmetaj e kundërshtoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit kontrollin e ushtruar në Hamallaj, një zonë në bregdetin e Durrësit ku janë ngritur disa komplekse turistike, e ku bashkëjetuesja e tij ka blerë një vilë. Sipas zotit Ahmetaj vendimi për kontroll ishte antikushtetues, ndërsa procedurat e ndjekura nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ishin kryer në shkelje të ligjit. Por dy ditë më parë Gjykata e Posaçme e rrëzoi ankimimin.

Javën e shkuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, u sekuestrua si vila në Hamallaj, po ashtu dhe një tjetër vilë në zonën e Palasës në jug të vendit, e cla dyshohet se zotërohej nga ish bashkëshortja e Ahmetajt, pavarësisht se figuron në emër të një shoqes së saj. “Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim me qëllim që mos tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë”, ka shpjeguar zoti Dumani.

Ish zëvendës kryeministri po hetohet rreth dyshimeve për të paktën 4 vepra penale, nga mos deklarimi apo fshehja e deklarim i rremë i pasurive, te korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës. Ndërsa kjo e fundit lidhet me praktikat për dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit, dyshimet e tjera kanë të bëjnë me lidhjet e dyshuara të tij me Klodian Zoton një nga tre sipërmarrësit e përfshirë në çështjen e inceneratorëve. Në kompjuterin e Zotos, janë gjetur emaile të disa hoteleve të shtrenjta në qytete të ndryshme të Europës, u konfirmoheshin se në to kishte qëndruar në to, pasi pagesa ishte bërë përmes kartës bankare të Zotos. “Kemi nisur letërporosi në shumë shtete jo vetëm në një shtet. Kjo kërkon kohë. Ka disa që janë përgjigur, të tjerë që janë në process”, është shprehur drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme duke saktësuar se hetimet përfshijnë dhe mundësinë e fshehjes së pasurive jashtë vendit.

Ndërsa për rastet e Elbasanit dhe Fierit, hetimet janë mbyllur dhe çështjet janë tanimë në gjykatë, për inceneratorin e Tiranës, ende hetimet vijojnë. “Prokurorët po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet ti gjendet pronari real, se nesër pasnesër, mund ta çojnë çështjen në arbitrazh”, mësohet të ketë thëë zoti Dumani.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, bëri të ditur se ka kërkuar nga prokurorët përshpejtimin e hetimeve dhe për rastet e tjera të koncensioneve, si ai i sterilizimit të pajisjeve mjekësore, apo Check up-it.

“Më shqetësojnë shumë çështjet e mbartura. Kam qenë kërkues me prokurorët që çështjet të përshpejtohen, kaq mund të bëj unë, të kërkoj llogari pse nuk po ecën çështja. Këtë e kam bërë. Pjesa tjetër, është në përgjegjësinë e prokurorit. Por po bëhen veprime”, tha ai.

(Zëri i Amerikës)