Kreut të Kishës Ortodokse Serbe i refuzohet kërkesa për vizitë në Kosovë

Prishtinë, 13 maj 2024 – Kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Patriarkut Porfirije, nuk i është lejuar hyrja në Kosovë, të hënën.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka njoftuar se Patriarku Porfirije është njoftuar për refuzimin e kërkesës së  tij për vizitë në Kosovë në vendkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë në Merdar, të cilin ai e quan “pikë administrative”.

“Në orën 1:30 pasdite, patriarku serb është dashur të kalojë pikën administrative të Merdarit, për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshpokëve dhe patriarkëve, mirëpo në momentin kur është dashur të kalojë pikën, ka ardhur ndalesa prej Prishtinës, me arsyetimin se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka thënë Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat valide, e ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.

“Patriarku serb Porfirije, gjithmonë, në çdo rast dhe vend, bën thirrje për paqe dhe bashkëjetesë të serbëve dhe shqiptarëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë. Fatkeqësisht, këto janë vlera dhe mesazhe që askush në Prishtinë nuk i kupton”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka thënë se Patriarku Porfirije ishte nisur drejt Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkëve të Kishës Ortodokse Serbe në Patrikanën e Pejës, i cili do të mbahet ditën e martë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Patriarku-serb-Porfirije-ne-Merdar.jpg

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se ajo e ka refuzuar kërkesën e Patriarkut Porfirije që të vizitojë Kosovën.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë.”, thuhet në njoftimin e Ministrrisë.

“Ashtu siç dihet, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla.

Ne inkurajojmë Serbinë që të zbatojë marrëveshjen bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

(r.m.)