Kriteri i barrës publike si faktor skualifikimi gjatë intervistës për vizë amerikane

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Jemi në dijeni se Departamenti Amerikan i Shtetit (DOS) do të shtrëngojë më shumë kontrollet gjatë intervistave për viza. Shumica e aplikimeve për vizë shqyrtohen për të parë nëse e përmbushin ose jo kriterin kualifikues që ka të bëjë me “barrën publike”. Aplikantët duhet të tregojnë se në asnjë moment, pasi “pranimit” në Shtetet e Bashkuara, nuk ka të ngjarë të kthehen në barrë publike. Me “barrë publike” nënkuptohet që i huaji ka të ngjarë, në çfarëdolloj kohe, të varet ekonomikisht nga qeveria për të siguruar jetesën, siç dëshmohet në rastet kur merren ndihma/kompensime financiare në para, në raste të ardhurash të pamjaftueshme, ose kur nevojitet kujdes afatgjatë institucional në kurriz të qeverisë.

Sipas rregullores aktuale, me “ndihmë publike në para për kompensim të të ardhurave” nënkuptohet përfitimi nga programet në vijim:

  • Supplemental Security Income (SSI) është një program i qeverisë së SHBA-së që u vihet në dispozicion atyre personave që kanë të ardhura të ulëta ose nuk kanë fare të ardhura; kanë pak ose aspak burime financiare; si dhe janë me aftësi të kufizuar, të verbër, ose 65 vjeç e lart. Programi SSI, konsideron si persona “me aftësi të kufizuara” ata persona të rritur që kanë  një aftësi të kufizuar e cila ia bën të pamundur të kryejnë “veprimtari të konsiderueshme fitimprurëse” ose të punojnë për një ose më shumë vjet. Personat mbi 65 vjeç nuk është e nevojshme të kenë ndonjë aftësi të kufizuar për t’u kualifikuar.
  • Temporary Assistance for Needy Families (TANF) është një program që financohet nga qeveria federale dhe administrohet nga shtetet, territoret dhe qeveritë fisnore, dhe që u ofron një sërë ndihmash e përfitimesh familjeve me të ardhura të ulëta, që kanë fëmijë. Këto përfitime ndryshojnë në varësi të vendndodhjes, dhe mund të jenë në formë ndihme financiare, ushqimi dhe kujdesi për fëmijët, si edhe shërbime për të gjetur punë.
  • General Assistance, e njohur gjithashtu si “ndihmë nga shteti,” “ndihmë e përgjithshme publike,” ose “ndihmë në të holla,” i referohet një numri programesh shtetërore dhe vendore që kanë si synim të ndihmojnë personat me të ardhura të ulëta, veçanërisht ata që nuk kualifikohen për lloje të tjera ndihme financiare. Emrat e këtyre programeve, kriteret për kualifikim dhe përfitimet që ato ofrojnë variojnë nga shteti në shtet si dhe brenda vetë shteteve.

Sipas rregullores aktuale, “institucionalizimi afatgjatë me shpenzimet e qeverisë” nënkupton ndihmën qeveritare që ofrohet për qëndrime afatgjata në institucione, ku përfshihen institucionet që ofrojnë shërbim infermieror ose institucionet e shëndetit mendor. Këtu nuk përfshihen qëndrimi në burg pas dënimit për një krim të caktuar dhe as institucionalizimi për periudha afatshkurtër me qëllim rehabilitimi.

Oficeri konsullor që shqyrton aplikimin për vizë të një aplikanti do të gjykojë nëse aplikanti ka gjasa të kthehet në barrë publike. Ai/ajo do të analizojë të gjitha aspektet e çështjes, përfshirë dhe peticionin, nëse është paraqitur një i tillë, por edhe gjëra jashtë tij; aplikimin për vizë dhe çdo dokument provë në mbështetje të aplikimit; raportin mjekësor, nëse kërkohet; deklaratën e sponsorizimit dhe garancisë financiare (Affidavit of Support), nëse kërkohet një e tillë; si dhe çdo informacion që ka dalë gjatë procesit të kontrollit dhe verifikimit. Aplikanti duhet të provojë – derisa ta bindë në mënyrë të kënaqshme oficerin konsullor – që i përmbush kriteret e “pranueshmërisë”. Oficeri konsullor mund t’i kërkojë aplikantit të paraqesë çdo lloj informacioni, përfshirë dhe dokumentacionin e duhur, që e gjykon si të nevojshëm për të vendosur nëse aplikanti ka ose jo të ngjarë të kthehet në barrë publike në një moment të caktuar.

Oficeri konsullor do të marrë në konsideratë faktorë si mosha e aplikantit, shëndeti, statusi familjar, pasuritë, burimet dhe gjendja financiare, arsimimi dhe aftësitë profesionale, çdo përfitim aktual ose të së kaluarës nga ndihmat publike në para për kompensim të të ardhurave ose rastet e institucionalizimit afatgjatë me shpenzimet e qeverisë, si dhe do të shqyrtojë deklaratën e sponsorizimit dhe garancisë financiare (Formulari I-864) nëse është ose jo e mjaftueshme.

Secili prej faktorëve do të shqyrtohet me kujdes. Priten më shumë udhëzime në të ardhmen.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com