Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) kërkon veprim urgjent për zgjidhjen e krizës institucionale në Kosovë

Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara po e ndjek me shqetësim të madh dështimin e vazhdueshëm të partive politike në Kosovë për të siguruar shumicën e gjerë të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Me këtë rast, Këshilli Shqiptaro-Amerikan i Marrëdhënieve (AARC), një organizatë udhëheqëse që lufton për interesat kombëtare shqiptare në Washington, D.C., theksoi se është koha që partitë politike të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe të sigurojnë stabilitet institucional për hir të të ardhmes së Kosovës dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe aleatëve të saj ndërkombëtarë.

AARC i dërgoi gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, në New York deklaratën në vijim:

“Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane shpreh shqetësimin tonë më të thellë për vazhdimin e krizës institucionale në Kosovë, e cila tashmë po zgjat më shumë se një vit. Paaftësia e partive politike për t’i vendosur interesat kombëtare të vendit mbi agjendat e ngushta partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike në kohën kur Kosova duhet të forcojë institucionet demokratike dhe qëndrimin ndërkombëtar.

Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm që nga pavarësia përmes sakrificës, vendosmërisë dhe partneriteteve të forta me Shtetet e Bashkuara dhe botën demokratike. Ai progres nuk duhet të rrezikohet nga pengesa politike apo dobësimi i institucioneve shtetërore.

Në mjedisin global gjithnjë e më të pasigurt, Kosova duhet të tregojë se është një partner i fortë, i përgjegjshëm dhe i besueshëm për aleatët e saj. Liderët politikë kanë për detyrë të sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe t’i japin përparësi interesit kombëtar mbi konsideratat partiake.

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane u bën thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe shtetari për t’i dhënë fund ngërçjes aktuale dhe për të rikthyer stabilitetin dhe funksionalitetin që meritojnë qytetarët e Kosovës”. (“Illyria”, New York)