Kroacia reagon ndaj akuzave të Vuçiqit se Kroacia, Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar aleancë kundër Serbisë

Zagreb, 6 janar 2026 – Kroacia reagoi të martën lidhur me akuzat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se aleanca ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë është krijuar kundër Serbisë.

Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, tha se Kroacia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, gjithçka bën në mënyrë transparente.

“Kroacia e ka rrugën e vet. Ajo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet në mënyrë transparente”, tha ai, transmeton portali kroat N1.

Bozhinoviq tha se vendet e rajonit sot duhet të përcjellin mesazhe për paqe dhe bashkëpunim në rajon. Ndonëse këtë nuk e tha shprehimisht, ai iu referua Kroacisë dhe Serbisë.

“Sa i përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe në fqinjësi, sot mund t’ju them vetëm se, megjithëse i festojmë Krishtlindjet sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet ta kemi të përbashkët”, tha Bozhinoviq.

Të hënën, Vuçiq e akuzoi Kroacia, Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar aleancë kundër Serbisë.

“Ne në Beograd e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, pos kundër popullit serb”, tha Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Në kontekst të kësaj akuze, Vuçiq tha se Serbia do të vazhdojë të armatoset dhe të shtojë kapacitetet mbrojtëse të saj.

Në mars të vitit 2025, ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë e nënshkruan një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Serbia reagoi ashpër ndaj këtij akti, duke e cilësuar si aleancë kundër saj.

(r.m.)

Comment

*