Kryebashkiaku i Rrogozhinës dënohet me 1 vit burgim për “korrupsion aktiv në zgjedhje”

Tiranë, 9 shkurt 2026 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën, më 9 shkurt, lënien në fuqi të vendimit të dënimit me 1 vit burg të kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, si dhe për tre personat e tjerë të pandehur në këtë process.

Vendimi i marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Florian Kalaja dhe anëtare Daniela Shirka dhe Igerta Hysi është i formës së prerë dhe pritet të ekzekutohet në ditët në vijim.

Me nga 1 vit burg janë dënuar dhe të pandehurit Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa. Ndërsa Isuf Tosku u dënua me 8 muaj burgim, por u pezullua ekzekutimi dhe ai u vendos në shërbim prove nga gjykata për 1 vit e 4 muaj.

Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla dhe tre persona të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, Memolla ka ndikuar tek elektricisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022. Po ashtu, Memolla ka komunikuar me Xhamanin për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

Xhamani u mor i pandehur për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Sipas SPAK, ai së bashku me të pandehurin Isuf Tosku, falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë abonentit debitor. Ndërsa i pandehuri Ndriçim Tafxhafa, u akuzua se i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati në ato zgjedhje të pjesshme lokale.

Akuza për të cilën u deklarua fajtor kryebashkiaku Memolla parashikon dënimin nga 1 deri në 5 vjet burg, megjithatë, si Prokuroria e Posaçme ashtu dhe gjykatat respektive të të dy shkallëve çmuan ta penalizojnë me minimumin e dënimit. Dënimet minimale për krimet zgjedhore kanë ngritur shqetësim të vazhdueshëm për përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet.

(Reporter)