Kryeministrat Kurti e Kallas angazhohen për zgjerimin e bashkëpunimit Kosovë – Estoni

Talin, 18 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar sot një vizitë zyrtare në Estoni, ku është pritur nga Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se tema qendrore të bisedës ishin marrëdhëniet midis dy vendeve, zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale, dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë e kontinentin të Evropës pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin për mikpritjen, vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës përgjatë gjithë fazave të zhvillimit të saj dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ai tha se Kosova dhe Estonia përveç marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyeshme, kanë edhe të kaluar të ngjashme historike”, thuhet në njoftim.

“Kosova e sheh Estoninë si model në shumë aspekte, e veçanërisht në fushën e reformës së administratës publike përmes digjitalizimit të shërbimeve, u shpreh më tej kryeministri”, citohet të ketë thënë Kurti.

Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë estoneze të E-Qeverisjes (eGA). Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministren Kallas për progresin e arritur dhe reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së deritanishme dhe theksoi se përmirësimet në indikatorët demokratik në vend dhe performanca pozitive ekonomike gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, kanë dëshmuar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Kryeministrja estoneze, Maja Kallas, ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë shumë të mirë dhe jam e lumtur që ato po zhvillohen edhe më tej”, ka thënë ajo.

Zonja Kallas ka premtuar mbështetjen e plotë të Estonisë për procesin e integrimit të Kosovës në organizatat euro-atlantike dhe për liberalizimin e vizave.

Ajo i ka vlerësuar qëndrimet e Kosovës ndaj agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë dhe për ndihmën që i ka ofruar popullit ukrainas.

Kryeministri Kurti dhe kryeministrja Kallas kanë diskutuar edhje për pasojat dhe rreziqet e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe të ndikimit destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ata kanë theksuar se Republika e Kosovës dhe Republika e Estonisë qëndrojnë bashkë kundër agresionit rus dhe në solidaritet me shtetin edhe popullin ukrainas.

Pas takimit, krerët e dy qeverive kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë vizitës në Estoni kryeministri Kurti shoqërohet nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorja jo rezidente e Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu.

(r.m.)