Kryeministri britanik në Kiev, njoftoi për një paketë të re mbështetjeje për Ukrainën

Kiev, 12 janar 2024 – Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi të premten në Kiev për një paketë të re mbështetjeje për Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.

Ai firmosi me Presidentin Volodymy Zelensky një marrëveshje të re për sigurinë.

Kryeministri Sunak njoftoi se fondet ushtarake për Ukrainën për vitin e ardhshëm financiar do të jenë 3.19 miliardë dollarë.

Ato do të përdoren për blerjen e armatimeve si municione, raketat me rreze të gjatë si edhe pajisje të tjera për mbrojtjen ajrore dhe detare.

“Jam këtu për t’u thënë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë mëdyshje,” tha zoti Sunak.

“Ne do të qëndrojmë krah Ukrainës, në ditët më të errëta dhe ditët më të mira që do të vijnë”, shtoi ai.

Zoti Sunak vizitoi për herë të parë Ukrainën në nëntor 2022, menjëherë pasi u bë kryeministër. Britania ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës.

Britania është donatori i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara, duke dhënë një total prej 3.3 miliardë dollarësh në 2022 dhe 2023.

Gjatë konferencës për shtypin, President Volodymyr Zelenskiy tha se besonte se edhe ndihma jetike e Shteteve të Bashkuara do të materializohej së shpejti.

Vizita e kryeministrit Sunak erdhi disa orë pasi ushtritë britanike dhe amerikane ndërmorrën goditje masive kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Shqetësimet për përshkallëzim të konflikit Izrael Hamas kanë larguar vëmendjen nga lufta e Ukrainës, një ndryshim që presidenti Volodymyr Zelenskyy po përpiqet ta përballojë përmes diplomacisë.

Ai po nxit aleatët perëndimorë të Kievit që t’i ofrojnë Ukrainës më shumë mbështetje, krahas miliarda dollarëve në ndihmë ushtarake që tashmë i janë dhënë Kievit për t’u përballur me agresionin rus.

(Zëri e Amerikës)