Otava, 31 korrik 2025 – Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në muajin shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai e ka përmendur zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, përkeqësimin e situatës së sigurisë në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 të Hamasit kundër Izraelit, si arsye pas ndryshimit dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.
“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gazë është i patolerueshëm dhe është duke u përkeqësuar me shpejtësi”, ka thënë Carney para gazetarëve.
Ai ka thënë se njohja e shtetësisë palestineze do të bëhet bashkë me përkushtimet e palës tjetër që të reformohet dhe të çmilitarizojë territorin.
Carney ka thënë në konferencë për media se ka biseduar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me vendimin e marrë.
Ai ka thënë se marrja e këtij vendimi do të varet nga reformat që do të kryhen, përfshirë zotimin e Autoritetit Palestinez që t’i mbajë zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrje të Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se një marrëveshje tregtare me Kanadanë do të jetë “shumë e vështirë” të arrihet, pasi kryeministri Carney ka paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar ashpër ndaj paralajmërtimit të Kanadasë, duke e cilësuar atë si “shpërblim për Hamasin”.
Kanadaja është vendi i tretë i grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që paralajmëruan njohjen e shtetit palestinez. Franca është vendi i parë që e paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez. Shembullin e Francës e ndoqi edhe Mbretëria e Bashkuar.
Shtetin palestinez e njohin zyrtarisht 147 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Raportimet nga Rripi i Gazës flasin për gjendje katastrofale. Autoritetet palestineze raportojnë për mbi 59.000 palestinezë të vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit të filluara në tetor të vitit 2023. Pjesa më e madhe e Gazës është shndërruar në gërmadhë. Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRËA) ngriti alarmin për krizën e urisë në Gaza, për shkak të bllokimit të ndihmave humanitare nga Izraeli. Ajo ka thënë se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës është i kequshqyer dhe se numri i rasteve po rritet çdo ditë.
Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejta të njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke u bërë thirrje të gjitha qeverive në botë që të veprojnë.
Por, Izraeli që e kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në Gazë, mohon se i ka bllokuar ndihmat dhe përgjegjësinë për çdo rast të kequshqyerjes ia hedh Hamasit.
(r.m.)