Kryeministri Kurti takoi kongresistin republikan Keith Self

Nju Jork, 25 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua të enjten në Nju Jork me kongresistin republikan, Keith Self, i cili është një mbështetës i zëshëm i Kosovës.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë takimit u diskua për marrëdhëniet bilaterale dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje. Ndër të tjera, ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm”, thuhet në njoftim.

“Gjatë takimit gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte”, thuhet më tutje në njoftim.

Kurti e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për qëndrimet dhe përkrahjen publike të Kosovës si edhe për anëtarësimin e saj në NATO dhe në struktura të tjera euro-atlantike. Ai theksoi interesimin dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë e Kosovës në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve.

Takimi u zhvillua në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Kurti po qëndron në Nju Jork për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

(r.m.)