Kryeministri Kurti thërret në takim kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës

Prishtinë, 29 tetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, përfaqësues të komunitetit serb, raporton kanali në gjuhën serbe i televizionit publik të Kosovës.

Sipas njoftimit, Kurti i ka ftuar katër kryetarët serbë për të diskutuar për pagesën e energjisë në katër komunat veriore të Kosovës dhe për zëvendësimin e targave të automjeteve të lëshuara në Serbi me targa legale të Kosovës.

Data dhe koha e takimit nuk është njoftuar.

Lista Serbe, përfaqësues të së cilës janë kryetarët e këtyre komunave, nuk është deklaruar ende lidhur me ftesën e kryeministrit Kurti.

Të premten, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që procesi i zëvendësimit të targave të automjeteve të lëshuara në Serbi të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm.

Lista Serbe e ka kundërshtuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke e ekusuar direkt  kryeministrin Kurti.

“… paralajmërimi i Albin Kurtit nuk është asgjë tjetër veçse dëshirë e tij që të vazhdojë planin për dëbimin e serbëve nga vatrat e tyre shekullore”, ka thënë Lista Serbe në një komunikatë për publikun.

Kjo parti, e cila dirigjohet nga Beogradi, ka paralajmëruar “reagim dhe rezistencë të ashpër” të serbëve ndaj vendimit për zëvendësimin e targave jolegale, të lëshuara në Serbi, me targa lekale të Kosovës, me  akronimin RKS (Republika e Kosovës).

(r.m.)