Kryeministri Kurti vizitoi Janjevën në ditën e Krishtlindjes

Prishtinë, 25 dhjetor 2022 – Në ditën e Krishtlindjes, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vizitoi fshatin Janjevë.

Fillimisht Kryeministri takoi famullitarin e kishës së Shën Kollit në Janjevë, Don Matej Paliq, dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.

Zyra e kryeministrit njoftoi se gjatë takimit u bisedua për historikun e komunitetit kroat në fshatin Janjevë, i cili njihet për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.

Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për zhvillimin e Janjevës dhe për rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë fshat.

Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, të cilëve ua uroi festën e Krishtlindjes.

Në Janjevë kanë lindur ose kanë vepruar disa figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e arsimit e të kulturës shqiptare. Më e njohuri prej tyre është At Shtjefën Gjeçovi. Ai ishte frat françeskan, arsimtar, mbledhës i folklorit, arkeolog dhe publicist shqiptar. Vlerësohet për mbledhjen e dokeve dhe zakoneve në krahinat veriore të Shqipërisë dhe veçanërisht përmbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Në vitin 1981, Janjevën e ka vizituar edhe Nëna Terezë.

(r.m.)