Kryeministri Rama e sulmon gjyqtaren që e rrëzoi padinë e tij ndaj Bashës

Tiranë, 12 qershor 2025 – Kryeministri Edi Rama sulmoi të enjten një gjyqtare të Gjykatës së Tiranës, pas vendimit të kësaj të fundit për të rrëzuar padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në prova dhe ligj”.

“Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve të këtij vendi, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, tipa që e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!!!”, shkroi Rama në postimin e tij në X.

Rama nuk përmendi emrin e gjyqtares, por BIRN mësoi se gjyqtarja e çështjes është Engjëllushe Tahiri. Tahiri mori vendim të mërkurën për të pushuar një padi të vitit 2018, në të cilën Rama akuzonte Bashën, atëherë drejtues i opozitës, për shpifje dhe kërkonte dëmshpërblim prej 1 milion lekësh. Padia i referohej deklaratave të Bashës se Rama kishte marrë në mbrojtje ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili rezultonte në disa prej përgjimeve të ashtuquajturës “Dosja 339” dhe akuzohej nga opozita si i përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 përmes përdorimit të personave të dyshuar si anëtarë të krimit të organizuar.

Pasi shqyrtoi çështjen, gjykata e gjeti pretendimin e kryeministrit, se akuzat ishin shpifje, të pabazuar në prova dhe ligj. “Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata e Tiranës për vendimin e marrë nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri.

Në vendimin e arsyetuar, ku referohen vendime të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë, Tahiri ka theksuar faktin se Basha ishte në pozicionin e drejtuesit të opozitës, ndërsa ka theksuar mbrojtjen për lirinë e shprehjes. “Në këtë këndvështrim, edhe thëniet e tij janë bërë në kuadër të ushtrimit të lirisë së shprehjes së garantuar nga neni 22, paragrafi i parë i Kushtetutës. Mund të thuhet se deklarata është bërë në kontekstin e një politikani në opozitë, i cili, i pyetur për një çështje të caktuar, shpreh mendimin e tij mbi ngjarje që përbëjnë edhe interes publik”, arsyeton gjyqtarja.

Pas këtij njoftimi, kryeministri sulmoi gjyqtaren në rrjetin X. “Gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë ‘si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata’, pra shpifja e Lulit ‘nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik’”, shkroi Rama. Sipas kryeministrit, arsyetimi në këtë rast ishte qesharak dhe ai e cilësoi atë “ngjarje satirike gjyqësore”.

Rama, në qëndrimin e tij, i referohet pjesës së arsyetimit mbi provimin apo jo të dëmeve, por citimet janë perifrazime të vetë kryeministrit dhe jo të marra nga vendimi, ku thuhet se dëmi i pretenduar “nuk u provua”.

“Gjykata konsideron se nuk u provua gjatë ecurisë së këtij gjykimi ardhja e ndonjë dëmi palës paditëse në jetën publike të tij, sa kohë vijon të ushtrojë detyrën si kryeministër dhe kryetar i partisë qeverisëse”, thuhet në arsyetim.

Po ashtu, ndryshe nga sa pretendon kryeministri në deklaratë, Tahiri, e cila në vitin 2023, kur ka kaluar pa probleme vetingun ku vlerësohet edhe profesionalizmi, ka qenë ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë dhe e ka marrë çështjen vetëm një vit më parë pasi u trasferua në Gjykatën e Tiranës.

Në të njëjtin postim, Rama kërkoi ndërhyrje të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të cilët i akuzoi se ishin “në gjumë”, “për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!”. KLGJ nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse kishte komente mbi sulmin.

Ironikisht, sulmi ndaj gjyqtares dhe presioni për të vënë në lëvizje ILD, KLGJ dhe KLP, vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri premtoi mbrojtje me çdo kosto të pavarësisë së gjyqësorit, në një takim me deputetët socialistë.

(Reporter.al)

Comment

*