Kryeministri sllovak është jashtë rrezikut për jetën

Bratisllavë, 19 maj 2024 – Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë mjaft shqetësuese, njoftoi të dielën zëvendësi i tij, 4 ditë pasi një atentat ndaj udhëheqësit 59 vjeçar tronditi Evropën.

“Të gjithë jemi pak më të qetë”, tha zëvendëskryeministri Robert Kalinak në një konferencë për gazetarët jashtë spitalit ku po merr trajtim mjekësor kryeministri, në qytetin Banska Bystrica.

Kryeministri Fico u qëllua 4 herë me armë të mërkurën, një sulm që ngriti alarmin mbi polarizimin politik në Sllovaki, një vend në Evropën Qendore me një popullsi prej 5.4 milionë banorësh.

Zoti Kalinak u tha gazetarëve se gjendja e kryeministrit vazhdon të jetë shumë e rëndë ndaj për momentin nuk po shqyrtohet mundësia që ai të transferohet në një nga spitalet e kryeqytetit. Por për momentin, tha ai, jeta e kryeministrit nuk është më në rrezik.

“Kryeministri nuk është më në rrezik për jetën, por gjendja e tij vazhdon të jetë shqetësuese dhe ai duhet të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion”, tha ai.

Atentati ndaj zotit Fico ishte përpjekja e parë për të vrarë një udhëheqës evropian në 20 vitet e fundit. Sulmi u dënua gjerësisht nga udhëheqësit ndërkombëtarë. Analistët politikë dhe ligjvënësit thonë se ngjarja nënvizoi klimën e polarizuar politike në Sllovaki dhe në mbarë Evropën.

Të shtunën, Gjykata e Posaçme Penale e Sllovakisë vendosi të lërë në paraburgim të dyshuarin për ngjarjen, i identifikuar si Juraj C. Ndaj tij rëndon akuza për tentative vrasjeje.

Mediat lokale njoftuan se autori i dyshuar për sulmin ka qenë më parë ish-punonjës sigurie në një qendër tregtare dhe autor i tre librave me poezi.

(Zëri i Amerikës)