Bratisllavë, 15 maj2024 – Ministria sllovake e Mbrojtjes njoftoi se kryeministri Robert Fico është ende duke luftuar për jetë nga plagët e marra në atentatin e kryer ndaj tij të mërkurën.
Qeveria e Sllovakisë ka bërë të ditur se kryeministri Fico është transportuar me helikopter në qytetin e afërt, Banska Bistrica, për shkak se ai ishte në gjendje të rëndë dhe transportimi në Bratisllavë do të merrte shumë kohë, ndërsa intervenimi i nevojshëm ishte akut.
Sipas raportimeve të mbrëmjes, Fico i është nënshtruar një operacioni që ka zgjatur mbi 3 orë e gjysmë, por detaje lidhur me operacionin dhe gjendjen e tij shëndetësore nuk janë bërë publike. Nuk është njoftuar as se çfarë plagësh ka pësuar Fico, por disa media lokale kanë raportuar se ai është plagosur në stomak dhe në dorë.
Por, ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak, e ka cilësuar gjendjen shëndetësore të Ficos si “jashtëzakonisht të rëndë”. Ai ka thënë se “mjekët po luftojnë për jetën e kryeministrit”.
“Ajo që ndodhi sot është një stigmë që do të na ndjekë për shumë vite në vijim. Por, për momentin të gjithë po mendojmë për gjendjen e kryeministrit tonë Robert Fico”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, ka thënë se sulmi ndaj kryeministrit, Fico ishte i motivuar politikisht.
“Tentativa për vrasje është e motivuar politikisht”, është shprehur Estok.
Këtë e ka përforcuar edhe ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak
“Nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë ai.
Por këtë e ka pohuar edhe autori i atentatit, shkrimtari 71-vjeçar, Juraj Cintula.
“E bëra këtë sepse nuk isha dakord me politikat e qeverisë së tij”, citohet të ketë thënë ai në polici.
Cintula, i cili ka qëlluar pesë herë në kryeministrit Fico, është themelues i Klubit Letrar “Duha” dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovakisë.
Robert Fico u qëllua me armë zjarri para Shtëpisë së Kulturës në Handlova, rreth 150 kilometra në veri-lindje të kryeqytetit, Bratislavë, ku kishte shkuar për të takuar mbështetësit e tij.
(r.m.)