Kryeministrja britanike Liz Truss jep dorëheqje

Londër, 20 tetor 2022 – Kryeministrja britanike Liz Truss, dha sot dorëheqjen, për shkak të dështimit të programit të saj ekonomik, që shkaktoi reagime të forta në tregjet e aksioneve dhe përçarje brenda partisë konservatore. Dorëheqja e saj erdhi vetëm gjashtë javë pas marrjes së detyrës.

Duke folur para ndërtesës së kryeministrisë në Londër, zonja Truss e pranoi se ajo nuk ishte në gjendje të mbante premtimet që bëri gjatë fushatës për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore dhe se kishte humbur besimin e partisë së saj.

“Duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi, unë nuk munda të realizoj planet mbi të cilat mbështeta mandatin e dhënë nga Partia Konservatore. Për këtë arsye, njoftova Mbretin Charles se po jap dorëheqjen nga posti i kryetares së Partisë Konservatore”, tha ajo.

Zonja Truss është kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë britanike. George Canning mbante më parë rekordin me 119 ditë si kryeministër më 1827, kur vdiq në detyrë .

Plani ekonomik i qeverisë së kryeministres Liz Truss shkaktoi paqëndrueshmëri financiare dhe një krizë politike që fillimisht çoi në zëvendësimin e shefit të Thesarit. Të mërkurën, zonja Truss u përballë me kërkesa në rritje për dorëheqje gjatë seancës në parlamentin britanik.

“Asgjë nuk ka mbetur përveç shkatërrimit të ekonomisë dhe shpërthimit të partisë konservatore. Unë e kam listën këtu, shkurtimi i taksave u hoq, ulja e taksës së korporatës është zhdukur. Besueshmëria ekonomike është zhdukur. Iku edhe shefi i thesarit që konsiderohet miku i saj më i mirë. Pse është ajo ende këtu?”, pyeti udhëheqësi i partisë kryesore opozitare, Kei Starmer.

“Unë jam luftëtare, nuk e jap dorëheqjen. Unë kam vepruar në interesin kombëtar për të siguruar që të kemi stabilitet ekonomik”, tha dje gjatë seancën parlamentare zonja Truss.

Por, zonja Truss u vu sërish nën trysni, pasi edhe një ministre e kabinetit të saj dha dorëheqjen të mërkurën duke lëshuar një breshëri kritikash për qeverinë.

“Sot (të ejten) në mëngjes u takova me ligjvënësin e lartë konservator Graham Brady. Ne e u pajtuam që zgjedhjet për udhëheqjen e re të zhvillohen brenda javës së ardhshme”, tha zonja Truss.

Largimi i saj, lë një parti të përçarë në kërkim të një udhëheqësi që duhet të bashkojë fraksionet brenda partisë. Zonja Truss tha se ajo do të qëndrojë në detyrë edhe për disa ditë të tjera, ndërsa ky proces të mbyllet.

(Zëri i Amerikës)