Daka, 5 gusht 2024 – Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, është larguar të hënën nga vendi, për t’I shpëtuar valës së protestave vdekjeprurëse që po zhvillohen prej fillimit të korrikut.
Një burim i agjencisë së lajmeve AFP, ka thënë se Hasina, 76-vjeçare, ka ikur prej Bangladeshit me helikopter, pasi protestuesit kanë hyrë në pallatin e saj, në Daka.
Kryeministrja Hasina, e cila e ka udhëhequr qeverinë qe 15 vjet, ka tentuar t’i shtypë protestat kundër qeverisë së saj, mirëpo në fund është detyruar të largohet ngaz vendi.
Vetëm të dielën janë vrarë të paktën 100 persona.
Ushtria ka thënë se ajo e ka marrë pushtetin dhe ka paralajmëruar se së shpejti do ta formojë një qeveri të përkohshme.
Shefi i ushtrisë së Bangladeshit, Waker-Uz-Zaman, ka thënë të hënën se, Hasina ka dhënë dorëheqje dhe ushtria do të formojë Qeverinë e përkohshme.
“Shteti ka vuajtur shumë, ekonomia është goditur, shumë njerëz janë vrarë – është koha t’i japim fund dhunës”, ka thënë Waker, i veshur me uniformën ushtarake, për transmetuesin shtetëror.
“Shpresoj që situata do të përmirësohet pas fjalimit tim”, ka thënë ai.
Zaman ka thënë se do të bisedojë me presidentin e Bangladeshit për të formuar qeverinë, por nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë apo jo në krye të qeverisë. Ai ka thënë se do të bisedojë me partitë kryesore opozitare dhe anëtarë të shoqërisë civile, por jo me partinë e kryeministres së larguar.
Protestat në Bangladesh kanë nisur për shkak të rikthimit të skemës së kuotave për punësime në pozita publike, mirëpo më vonë janë zgjeruar kundër Qeverisë.
(r.m.)