Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 16 nëntor

Bruksel, 9 nëntor2023 – Takimi i radhës i udhëhqësve të ekipeve negociuese të Kosovës dhe të Serbisë, i cili do të mbahet me ndërmjetësimin e të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të mbahet në Bruksel më 16 nëntor.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se në fokus të takimit do të jenë hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe zbatimi i marrëveshjeve me të cilat kanë rënë dakord të dyja palët.

Lajçak ishte së fundmi në Prishtinë, ku u takua me shefin e ekipit negociator, Besnik Bisljimi, dhe me përfaqësuesit e opozitës, ku u diskutua për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga BE-ja dhe SHBA-ja.

BE-ja nuk ka treguar nëse Lajçak do të shkojë edhe në Beograd para takimit të kryenegociatorëve në Bruksel.

(r.m.)