Prishtinë, 28 gusht 2026 – Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.
“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit.
Gjykata Themelore në Pejë shpalli aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trtefishtë: Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetajt. Vëllezërit Kastrioti dhe Kreshniku u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse babai i tyre Halili u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Por, dy prej tyre, Halili dhe Kreshniku, u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje. Halili u dënua me 3 vjet burgim, kurse Kreshniku me 1 vit burgim.
Aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore në Pejë ndaj tre të akuzuarve ka shkaktuar reagime të forta të palëve të dëmtuara dhe mbrojtjes së tyre si edhe të shoqërisë civile në Kosovë.
Sulmi me armë zjarri ndaj autobusit me udhëtarë, në të cilin ishin vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës 17 vjeçarë, ishte kryer më 26 nëntorit 2021. Tre të dyshuarit lidhur me këtë krim akuzoheshin se sulmin e kishin kryer të motivuar për hakmarrje ndaj shoferit të autobusit, të cilin e bënin përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës / motrës së tyre.
(r.m.)